Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me ambasadorin francez për Sportin, Damien Combredet-Blassel, ambasadorin e Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, si dhe përfaqësues të organizatës France Sport Expertise, të cilët kanë qenë të përfshirë në organizimin e Lojërave Olimpike Paris 2024.
Në këtë takim është diskutuar për përgatitjet e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, me theks të veçantë në bashkërendimin institucional, menaxhimin e procesit dhe infrastrukturën e nevojshme për realizimin e këtij organizimi të madh sportiv.
Kurti ka bërë të ditur se nga përfaqësuesit francezë kanë marrë këshilla konkrete për hapat që duhet të ndërmerren në periudhën e ardhshme.
Kryeministri ka theksuar gjithashtu rëndësinë e partneritetit me Francën në këtë proces, duke rikujtuar marrëveshjen e kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD) për investimet infrastrukturore, si dhe Deklaratën e Synimit për themelimin e Komitetit të përbashkët për organizimin e Lojërave Mesdhetare, të nënshkruara në fund të korrikut.
Takimi vjen në kuadër të përpjekjeve për të avancuar përgatitjet për “Prishtina 2030”, një projekt me rëndësi të veçantë për sportin dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës, por që kërkon koordinim të mirëfilltë institucional, planifikim dhe përmbushje të afateve të përcaktuara.
