Modernizimi i industrisë ushqimore, investimet n teknologji dhe përmbushja e standardeve europiane po krijojnë mundësi të reja për zhvillimin e prodhimit vendas dhe zgjerimin e eksporteve shqiptare. Këto tema ishin në qendër të diskutimeve në panairin Tirana International Fair, TIF 32, gjatë panelit “Zgjerimi i Industrisë Ushqimore në Shqipëri. Procesim dhe Agrotech për ushqim më të sigurt dhe zgjerim të eksporteve”.
Ilir Pilku, ekspert i industrisë, vuri në dukje se konkurrueshmëria e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare kërkon më shumë sesa përmbushjen e detyrimeve ligjore. Standardet ndërkombëtare të certifikimit, si GlobalG.A.P. dhe ISO 22000, janë gjithnjë e më të rëndësishme për të fituar besimin e rrjeteve të mëdha të shitjes dhe blerësve europianë. Sipas tij, ky proces kërkon investime në teknologji, ekspertizë dhe financim të përshtatshëm për fermerët dhe përpunuesit.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe sigurisë ushqimore dhe përdorimit të pesticideve. Prof. Sokol Abazaj, Menaxher, Laboratoret Tenuis, theksoi se përmirësimi i praktikave bujqësore, forcimi i kontrolleve dhe modernizimi i laboratorëve janë thelbësore për garantimin e cilësisë së produkteve shqiptare.
“Problematika që kemi në Shqipëri është përdorimi ende i atyre pesticideve që kanë mbetur në tregun tonë”, u shpreh Abazaj, duke nënvizuar nevojën për këshillim profesional të fermerëve dhe zbatim efektiv të legjislacionit europian.
Diskutimet evidentuan rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve, universiteteve, sektorit financiar dhe sipërmarrjeve për të ndërtuar një industri ushqimore më moderne dhe konkurruese.
Përmes teknologjisë, standardeve të larta dhe investimeve të qëndrueshme, prodhimi shqiptar synon të forcojë pozicionin e tij në tregun vendas dhe të fitojë më shumë hapësirë në tregjet europiane.
