Një nga projektet e reja më ambicioze në bregdetin shqiptar, Baks Bay Albania, prezantohet para publikut dhe investitorëve në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, që zhvillohet në datat 3–6 nëntor.
Renato Civili, Drejtor i Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun në Grupin Gener 2, tregon se Baks Bay është konceptuar si një rezidencë madhështore në bregdetin e Adriatikut, e cila do t’u japë mundësi individëve dhe familjeve të zgjedhin një stil të ri jetese.
“Gener 2 ka më shumë se 30 vite që ndërton projekte, të cilat janë kthyer në pika referimi në Tiranë, si dhe rezidenca që kanë krijuar vlerë në komunitet. Jemi të lumtur që në këtë panair po prezantojmë tre projekte të reja. Njëri prej tyre ndodhet në Tiranë, një kullë buzë liqenit, me pamje fantastike. Po kështu, po prezantojmë një projekt në Jalë, si dhe Baks Bay Albania, në bregdetin e Adriatikut, në veri të vendit. Ky është një nga projektet më të mëdha rezidenciale në Ballkan, që besojmë se shumë shpejt do të kthehet në një nga destinacionet e preferuara për çiftet, familjet, moshën e tretë, por edhe për të huajt që duan të investojnë në Shqipëri”, shprehet Civili.
Një destinacion për 12 muajt e vitit
Me mbi 300 mijë metra katrorë hapësira të gjelbra, një rezidencë pa makina dhe një ofertë që përfshin banimin, sportin, tregtinë dhe hotelerinë, Baks Bay synon të ndërtojë një model jetese që shkon përtej pushimeve verore.
“Ky është projekti më i madh turistik në Shqipëri dhe sjell një model të ri investimi, jo vetëm për të jetuar gjatë sezonit të verës, por përgjatë gjithë vitit. Një nga avantazhet kryesore është gjelbërimi, që zë një sipërfaqe prej mbi 300 mijë metrash katrorë. Po ashtu, projekti parashikon tre pishina me përmasa olimpike, fusha sportive dhe një hapësirë të dedikuar vetëm për këmbësorët, pasi qarkullimi dhe parkimi i makinave do të bëhen nëntokë. Pjesë e rezidencës do të jetë edhe një hotel me brandin ndërkombëtar Meliá”, thekson Civili.
Realizimi brenda 5 viteve
Në Baks Bay mund të shkohet nga Tirana për më pak se 90 minuta, ndërsa nga aeroporti i Rinasit distanca është edhe më e shkurtër.
“Është një pozicion strategjik, pasi mund të arrihet nga Tirana për më pak se 1 orë e 30 minuta. Kemi parë gjithashtu një interes të jashtëzakonshëm nga Kosova. Gjatë panairit kanë shfaqur interes edhe shumë investitorë të huaj. Sipas kontratës, ky projekt pritet të realizohet brenda pesë viteve”, shprehet drejtori i Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun i Grupit Gener 2. Projekti parashikon rreth 4,000 njësi dhe një kapacitet të synuar prej afërsisht 10,000 banorësh. Për të mbështetur jetesën gjatë gjithë vitit, katet e para të ndërtesave do të përfshijnë hapësira komerciale dhe shërbime të përditshme.
