Real Madridi përgatitet të mirëpresë një emër të madh të sportit spanjoll në strukturat e tij drejtuese.
Rafael Nadal, një prej tenistëve më të suksesshëm në histori, me 22 tituj Grand Slam në karrierë, është propozuar si anëtar i ri i Bordit Drejtues të klubit madrilen.
Propozimi është bërë zyrtar nga drejtuesit e Real Madridit dhe do t’i nënshtrohet miratimit të Asamblesë së Përgjithshme të delegatëve më 21 nëntor.
Për Nadal, ky emërim përfaqëson një hap të veçantë, pasi lidhja e tij me fanellën e bardhë është e hershme.
Tenisti spanjoll është anëtar nderi i klubit që prej vitit 2011 dhe nuk e ka fshehur asnjëherë pasionin për Real Madridin.
Pas njoftimit, spanjolli reagoi përmes rrjeteve sociale, duke falënderuar presidentin Florentino Perez dhe bordin drejtues për propozimin.
Ai theksoi se e ka pranuar këtë përgjegjësi me entuziazëm dhe me dëshirën për të dhënë kontributin e tij në të ardhmen e klubit.
Në komunikatën zyrtare, Real Madridi vlerëson jo vetëm sukseset sportive të 40 vjecarit, por edhe karakterin, përkushtimin, modestinë dhe shpirtin e tij konkurrues, cilësi që klubi i konsideron pjesë të identitetit të vet.
Ndërkohë, rikthimi i emrit të Nadalit në skenën drejtuese të klubit ka ringjallur edhe diskutimet për një rol të mundshëm në të ardhmen në krye të presidencës.
Një hipotezë që, të paktën për momentin, mbetet pa një zhvillim konkret.
