Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbajtur sot më 5 nëntor konferencë për mediat, ku foli për progres-raportin.
Berisha tha se progres-raporti vë theksin tek problematikat më të mëdha të Shqipërisë.
“Progres-raporti vë gishtin tek diktatura që ekziston në vend. Raporti flet për probleme të mëdha të Shqipërisë. Të gjitha problemet kanë kryeautor padrinon e Shqipërisë. Është ai që me ndërhyrjen brutale në procesin zgjedhor realizoi mbi 400 aktivitete, që të ndikojë tek zgjedhësit shqiptarë. Është padrino, që për të blerë votat, shpërndau 100 euro për çdo pensionist në kohën e fushatës elektorale.
Është Rama, që për të mbajtur mandatin, fali 1.2 miliardë gjoba e kamata, është ai që ka organizuar ushtrinë e terroristëve politikë elektoralë, është ai që ka ushqyer grupet kriminale. Është ai që ka shkelur barazinë në garë. Raporti e damkos qeverinë. Prandaj, Ramës i kishte rënë një nur i verdhë në të zi. Zgjedhjet janë vënë në pikëpyetje, thotë raporti. Rama është njeriu, që është zhytur në skandale korruptive që shkojnë në miliarda”, tha Berisha.
Berisha tha gjithashtu se rruga drejt BE-së bllokohet nga korrupsioni i njerëzve pranë kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, edhe vetë kreu i qeverisë është bashkëautor në korrupsion. Sipas Berishës, me këtë raport, Rama duhet të japë dorëheqjen.
“Rruga drejt Bashkimit Europian pengohet nga korrupsioni i njerëzve të kryeministrit. Rama nuk i ndëshkon, sepse është në partneritet me ta. Olta Xhaçka është ndrikulla e mafies Rama. Shqiptarët paguajnë çmimin e korrupsionit të tyre. Nuk është vetëm Olta, por janë një sërë funksionarësh pranë kryeministrit, që janë zhytur në korrupsion madhor.
Në raport thuhet gjithashtu se opozita nuk është lejuar të zhvillojë debate normale. Po ashtu, në raport theksohet se kemi një narko-parlament, sepse kalohen ligje, pa pasur fare konsultime. Me këtë raport, të ardhme europiane nuk ka. Të ardhme europiane me Edi Ramën nuk ka”, u shpreh Berisha.
Për protestat, Berisha deklaroi se është përdorur dhunë barbare ndaj studentëve dhe protestuesve. Nënvizoi se nuk mund të bisedosh me Ramën, sepse tek ai nuk ka sinqeritet.
Dhe njëherë nënvizoi se korrupsioni galopant nuk e lë Shqipërinë të ecë përpara.
“Për protestat, progres-raporti shprehet se është përdorur dhunë ndaj studentëve dhe protestuesve. Në lidhje me faktin që pse nuk ka dialog, kush e njeh Edi Ramën, dihet se nuk mund të bashkëbisedosh me të, nuk gjen dot sinqeritet tek ai. Ua them unë që korrupsioni e pengon integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe korrupsioni ka mburojë kryeministrin e vendit.
Në shëndetësi thuhet se korrupsioni është sistemik, që do të thotë në të gjitha degët e në të gjitha nivelet. Policia e Shtetit saktësohet se është shumë e ekspozuar ndaj korrupsionit. Korrupsioni në fushën e pronësisë konsiderohet i përhapur. Një raport të tillë nuk e gjeni dot që nga viti 1996. Për mediat, thuhet se Shqipëria është vend që të cungon lirinë e shprehjes. Raporti është shkruar me gërma të zeza, kemi një autokraci”, u shpreh Berisha.
