Është shuar në moshën 78-vjeçare Bashkim Zeneli, diplomat, ish-deputet, gazetar dhe publicist i njohur. Ai ka ndërruar jetë në një spital jashtë Shqipërisë.
Zeneli i kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës së tij gazetarisë, politikës dhe diplomacisë. Gjatë karrierës së tij, ai ka shërbyer si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe ka përfaqësuar vendin tonë në cilësinë e ambasadorit në Gjermani dhe Greqi. Ai ishte gjithashtu ndër figurat e para intelektuale të Partisë Socialiste, duke dhënë kontributin e tij në zhvillimet politike dhe institucionale të vendit.
Në angazhimin e tij diplomatik, Bashkim Zeneli luajti një rol të rëndësishëm në konsolidimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet fqinje dhe partnerët ndërkombëtarë. Ndërkohë, përmes botimeve, shkrimeve dhe kujtimeve të lëna pas, ai dokumentoi momente dhe zhvillime me rëndësi nga historia e diplomacisë shqiptare.
Vlerësimi për kontributin e tij erdhi edhe në vitin 2018, kur presidenti i atëhershëm Ilir Meta e nderoi me titullin “Mjeshtër i Madh”. Ky vlerësim iu dha për angazhimin dhe kontributin e spikatur në politikën e jashtme, gazetari, publicistikë dhe veprimtarinë parlamentare, si dhe për përkushtimin ndaj çështjes kombëtare dhe procesit të integrimit euroatlantik të Shqipërisë.
Për ndarjen e tij nga jeta ka reaguar edhe kryeparlamentari Niko Peleshi, duke vlerësuar kontributin e tij shumëvjeçar në politikë dhe shërbimin publik. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Peleshi theksoi rolin e Zenelit në diplomacinë shqiptare dhe forcimin e marrëdhënieve me Gjermaninë dhe Greqinë, duke shprehur ngushëllime për familjarët dhe të afërmit e tij.
“I trishtueshëm lajmi për ndarjen nga jeta të Bashkim Zenelit, ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, diplomat dhe publicist, intelektual i radhëve të hershme në Partinë Socialiste, i cili i kushtoi një jetë të gjatë shërbimit publik.Me kontributin politik, veprimtarinë parlamentare dhe në detyrën e ambasadorit në Gjermani e Greqi, Bashkim Zeneli dha një kontribut të çmuar për vendin dhe për forcimin e miqësisë me fqinjët dhe partnerët e Shqipërisë. Me shkrimet dhe kujtimet e tij, ai la gjithashtu një dëshmi të vyer për historinë e diplomacisë shqiptare.Ngushëllime familjes, të afërmve, miqve dhe kolegëve të tij. U prehtë në paqe!“, shkruan Peleshi.