Dhjetëra qytetarë janë mbledhur sot para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku kanë protestuar pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj nga kunati i saj në Pejë.
Protesta u zhvillua në kohën kur ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po mbanin një konferencë për media lidhur me rastin. Gjatë tubimit, protestuesit kanë hedhur vezë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë.
Pjesëmarrësit në protestë kërkojnë drejtësi për Arlinda Zekajn, nënën e një djali, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Krahas kësaj, ata kërkojnë edhe përgjegjësi nga institucionet për trajtimin e rastit të saj.
Protesta u mbajt paralelisht me konferencën e paralajmëruar nga ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në të cilën pritet të prezantohen raportet institucionale që lidhen me këtë ngjarje.
Ndërkohë, situata është tensionuar edhe më shumë kur protestuesit janë përballur me Policinë e Kosovës, pasi kanë tentuar të futen në objektin e Qeverisë për të marrë pjesë në konferencën e dy ministrave.
Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt ka shkaktuar reagime të shumta në vend dhe ka nxitur protesta të njëpasnjëshme. Qytetarët vazhdojnë të kërkojnë llogaridhënie institucionale dhe ndërmarrjen e masave konkrete për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.
