Pedagogu dhe aktivisti Ervin Goci ka denoncuar dhunën e pretenduar policore ndaj pedagogut të Shkencave Politike, Alfred Bushi, i cili, sipas tij, është arrestuar dhe keqtrajtuar brenda ambienteve të komisariatit.
Në një deklaratë për mediat nga protesta e studentëve dhe pedagogëve, Goci tha se kolegu i tij ishte ndaluar pa kryer asnjë veprim të paligjshëm dhe ishte marrë me forcë nga efektivët e policisë. Sipas Gocit, pas daljes nga komisariati, Bushi ka denoncuar se ishte rrahur dhe keqtrajtuar gjatë qëndrimit në ambientet policore.
Pedagogu e cilësoi të rëndë ngjarjen dhe u bëri thirrje kolegëve të tij, si dhe autoriteteve përgjegjëse, të reagojnë ndaj këtij rasti dhe të kërkojnë sqarimin e rrethanave. Goci denoncoi gjithashtu sjelljen e efektivëve të policisë gjatë protestës pranë Parlamentit, duke deklaruar se pedagogët kishin tentuar të komunikonin, por ishin shtyrë nga forcat e rendit.
“Doja të bëja një denoncim. Në ambientet e komisariatit është keqtrajtuar pedagogu i Shkencave Politike, Alfred Bushi, që u arrestua pa bërë asgjë. E kanë marrë me dhunë.
Kur doli, ai denoncoi policinë duke thënë: ‘Më kanë rrahur, keqtrajtuar brenda’.
I bëj thirrje kolegëve, autoriteteve që të reagojnë. Kur rrihet një pedagog, e kanë rrahur, dhuna është ekstreme.
Te Parlamenti nuk donin të komunikonin, por na shtynë”, deklaroi Goci.
