Ka mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier këngëtari fierak Erind Xhaferi, për t’u njohur me masën e sigurimit personal, pas arrestimit nga Policia e Fierit.
Sipas të dhënave paraprake, hetimi ka nisur pas një telefonate të bërë nga vajza të mitura në sallën operative të Policisë së Fierit.
Pas marrjes së informacionit, shërbimet e Komisariatit të Fierit kanë kryer verifikimet në terren dhe kanë organizuar veprimet operacionale për dokumentimin e rastit.
Xhaferi është arrestuar në flagrancë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
Seanca për caktimin e masës së sigurimit po zhvillohet me gjyqtar Noel Veizi, ndërsa çështja përfaqësohet nga prokurori Skerdi Sinanaj.
Në përfundim të seancës pritet vendimi i gjykatës për masën e sigurimit ndaj këngëtarit.
