Një 28-vjeçar shqiptar i dënuar me 12 vite burg për vrasje me paramendim është arrestuar në Bolzano të Italisë, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Vanxhel Balla ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, ndërsa arrestimi u krye në kuadër të operacionit “The Wanted”, në bashkëpunim me autoritetet italiane.
Sipas Policisë së Shtetit, Balla, së bashku me vëllain e tij, ishte dënuar për vrasjen me thikë të një personi pas një konflikti për motive të dobëta. Interpol Tirana dhe Interpol Roma vijojnë procedurat për ekstradimin e tij.
Njoftimi:
Vijon bashkëpunimi me homologët për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “The Wanted”.
Kapet në Bolzano të Italisë një i kërkuar, i dënuar për vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim.
Arrestohet me qëllim ekstradimi shtetasi Vanxhel Balla, 28 vjeç, lindur në Dibër.
Shtetasi Vanxhel Balla ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, në vitin 2020, e ka dënuar me 12 vjet burg (mbetur për të kryer 9 vjet burg), për veprën penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
Ky shtetas, së bashku me vëllain e tij, shtetasin A. B., pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me mjet prerës (thikë) shtetasin A. Z alias I. Z
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Shqipërisë.
