Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka thirrur për sot protestë gjithëpopullore në Prishtinë, pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Protesta do të nisë në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa nga OVL-UÇK kanë bërë të ditur se ajo do të jetë paqësore.
Thirrja për protestë u bë një ditë më parë nga Gazmend Syla i OVL-UÇK-së, i cili tha se vendimi është marrë pas takimit të Këshillit Drejtues të organizatës.
“Protesta jonë që organizohet nesër është paqësore, jo e dhunshme, pa maska, me fytyrat tona. Kemi çka me tregu boll, fytyrat i kemi të ndershme, s’kemi nevojë fare të vendosim maska në protestë”, deklaroi Syla.
Syla deklaroi se, sipas organizatës, me këtë vendim është tentuar të bëhet një baraspeshë ndërmjet luftës së UÇK-së dhe ngjarjeve të viteve 1998-1999.
“Dje u dënua lufta jonë për çlirim dhe u provua të bëhet një balancë mes asaj që ka ndodhur në luftën tonë në vitet ’98-’99. UÇK-ja nuk ishte kurrë ndërmarrje kriminale, ishte rezistenca e popullit tonë përballë dëbimit, masakrave dhe e vetmja përgjigje e një kombi që ishte dënuar me zhdukje”, tha Syla.
Organizatat e dala nga lufta kanë paralajmëruar gjithashtu krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe një platforme përmes së cilës synojnë të kundërshtojnë aktgjykimin deri në përfundimin e procesit të apelit.
Sipas Sylës, në këtë nismë synohet përfshirja e institucioneve të Kosovës, partive parlamentare, shoqërisë civile, Shqipërisë, shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Luginën e Preshevës, si dhe mërgatës.
