Kryeministri Edi Rama reagoi sot për vendimin e Gjykatës Speciale të Hagës që dënoi ish-krerët e Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi për krime lufte.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë e cilëson si “marrëzi” vendimin e Gjykatës Speciale, teksa ka publikuar një foto të hartës së Evropës, të rrethuar me tela me gjemba.
“Marre”, shkruan Rama.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u shpall fajtor për krime lufte dhe u dënua me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë sikundër edhe Jakup Krasniqi, ndërsa Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim dhe Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u akuzuan me pretendimin për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë përndjekje, vrasje dhe torturë. Ata u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023, ndërsa katërshja ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Aktgjykimi i shkallës së parë u shpall sot nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhe u ndiq me vëmendje të madhe në Kosovë dhe jashtë saj. Qytetarë të shumtë kanë pritur vendimin në sheshet e rrugët e qyteteve të Kosovës duke kërkuar kthimin në shtëpi të ish-drejtuesve të UÇK-së të cilët cilësohet si çlirimtarë.
