Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediet foli sot për vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke deklaruar se në qendër të takimeve me përfaqësues të Kongresit amerikan dhe zyrtarë të administratës së presidentit Donald Trump ishte situata politike në Shqipëri.
Berisha tha se qëllimi i vizitës ishte prezantimi i qëndrimeve të opozitës dhe i shqetësimeve që lidhen me funksionimin e shtetit ligjor, demokracinë dhe ndikimin e krimit të organizuar në vend.
“Në epiqendër të të gjitha bisedimeve tona në takime të veçanta me kongresmenë, me senatorë, me zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Trump kanë qenë së pari narkoshteti dhe pasojat shkatërrimtare të tij mbi ekonominë, qenien, rendin kushtetues, shtetin ligjor në Shqipëri”, tha Berisha.
Berisha tha se në takimet në SHBA është diskutuar edhe për atë që ai e cilësoi si “historiku i transformimit të Shqipërisë në narkoshtet”.
“Ne u ndalëm me miqtë tanë në historikun e transformimit të Shqipërisë në narkoshtet si një politikë zyrtare e Edi Ramës”, u shpreh Berisha.
Berisha e cilësoi vizitën në SHBA si një përpjekje për të paraqitur para partnerëve amerikanë shqetësimet e opozitës shqiptare.
Kreu i PD-së tha se në takimet e zhvilluara nuk kishte pasur çështje personale, por vetëm diskutime që lidhen me interesin e qytetarëve shqiptarë, demokracinë, zgjedhjet dhe funksionimin e shtetit ligjor.
Berisha tha se në takime gjithashtu denoncuan farsën elektorale.
“Në takimet tona, tashmë ato që kemi bërë publike, ne diskutuam gjerësisht për farsën elektorale. Për angazhimin e plotë dhe total të karteleve të drogës në procesin zgjedhor. Paraqitëm fakte, argumente, dokumente”, tha ai.
