Është arritur, këtë të hënë, 31 gusht, marrëveshja mes VV-së dhe LDK-së për presidentin e Kosovës.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas përfundimit të takimit me kryetarin e VV-së, Albin Kurti, bëri të ditur se janë dakorduar për një emër për president dhe ai është Bekim Sejdiu.
I dakordësuari për president, vjen nga një karrierë e gjatë në drejtësi, diplomaci dhe akademi.
Sejdiu ka dhënë dhe deklaratën e parë për mediat pas zyrtarizimit të emrit të tij si kandidat për president. Drejtuar qytetarëve, diplomati thotë se ka pranuar përgjegjësinë për t’i shërbyer Kosovës ndërsa shprehet falënderues për besimin që i është dhënë nga dy partitë.
“Kjo mua më bën të ndihem i nderuar, besimi që më kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive. Unë e kam pranuar këtë propozim, edhe pse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fusha akademike. Duke qenë i vetëdijshëm edhe me barrën edhe përgjegjësinë që e sjell posti i presidentit, por edhe në kontekstin aktual politik, jam në shërbim të Kosovës, qytetarëve dhe shtetit tonë, që të shërbej me devotshmëri siç kam bërë gjithmonë”, tha ai.
Sejdiu është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ai i takon brezin të parë të ambasadorëve që i kanë shërbyer Kosovës. Nga viti 2008 – 2012 ai ka shërbyer si ambasador në Turqi e në vitin 2012 deri në vitin 2014 si Konsull i Përgjithshëm për Kosovën në New York. Në vitin 2015 Sejdiu ka shërbyer si diplomat në Ministrinë e Jashtme.
Kujtojmë se Kurti ka zhvilluar dhe të tjera takime me Abdixhiun, por në asnjërën prej tyre nuk kanë arritur asnjë marrëveshje. Të gjitha partitë e tjera opozitare kanë refuzuar të bashkëpunojnë me Vetëvendosjen.
Zgjedhjet e fundit në Kosovë u mbajtën me 7 qershor, rezultat që u dominua përsëri nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, i cili mori 53 mandate. Rrjedhimisht pati nevojë për bashkim forcash me opozitën për t’i dhënë vendit presidentin e ti e për t’i dhënë fund krizës institucionale.
Nevojiten të paktën 61 për ta konstituuar Kuvendin dhe formuar Qeverinë e re. Për zgjedhjen e presidentit të Kosovës nevojitet prania e 80 deputetëve në sallën e Kuvendit me 120 vende që votimi të jetë i vlefshëm.
