Një 37-vjeçare shtatzënë ka humbur jetën gjatë transportimit drejt Tiranës, ku po dërgohej për trajtim më të specializuar mjekësor.
Gruaja ishte paraqitur fillimisht në Spitalin e Pogradecit për shkak të problemeve shëndetësore. Pas ekzaminimeve dhe konsultave, mjekët vendosën transferimin e saj drejt kryeqytetit. Gjatë transportit, në afërsi të Elbasanit, gjendja shëndetësore e 37-vjeçares është përkeqësuar dhe gruaja ka humbur jetën.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se gruaja mund të ketë pësuar hemorragji të brendshme. Ajo ishte rreth 7 muaj shtatzënë. Sipas të dhënave nga spitali, 37-vjeçarja ka shkuar në spital rreth orës 1 të mëngjesit pasi kishte pasur dhimbje barku të cilat i kishte duruar në kushte shtëpie për 24 orë.
Pas mbërritjes në maternitet është konstatuar se kishte gjak në bark dhe është reanimuar deri në stabilizimin e gjendjes për tu nisur drejt Tiranës, por rrugës gjendja është përkeqësuar dhe ka ndërruar jetë.
Megjithatë shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar zyrtarisht. Rrethanat e plota të ngjarjes pritet të sqarohen nga veprimet procedurale dhe ekspertiza mjeko-ligjore.
