Tre persona janë arrestuar nga blutë e Tiranës ndërsa një tjetër u shpall në kërkim, të dyshuar si autorë të vjedhjes së një banese në Sharrë 10 ditë më parë.
Të maskuar dhe me doreza e leva në duar, ata hynë brenda në shtëpi nga ku morën 2 500 000 lekë cash dhe bizhuteri me vlerë 500 000 lekë.
Dy prej të dyshuarve, kishin fshehur në servisin që kishin në bashkëpronësi në Astir, 1 armë zjarri dhe 3 krehra me 82 fishekë.
“Në vijim të veprimeve operacionale u krye kontroll në servisin për mjete, në bashkëpronësi të shtetasve A. B. dhe M. H., ku u gjetën 1 armë zjarri, 3 krehra, 82 fishekë luftarak, 2 automjete, 1 motomjet dhe 2 palë targa automjetesh”, njofton Policia.
Ndërkohë nga kontrollet e të arrestuarit të 3-të, policia gjeti dhe sekuestroi 1 automjet dhe 55 000 lekë. Sakaq, puna hetimore po vijon me qëllim arrestimin e personit të 4-t të përfshirë në grabitje.