Pronari i lokalit është arratisur fill pas ngjarjes. Ndaj tij është ngritur akuza për “Moskallëzim krimi” pasi nuk e ka referuar te autoritetet ngjarjen e 18 gushtit. I shpalluri në kërkim D. Gj., dyshohet se ka goditur me grushte 20-vjeçarin portugez gjatë konfliktit fizik që ndodhi në lokal.
Më pas turisti, në rrethana ende të paqarta, është goditur me thikë në plazhin ‘Paradise’ në distancë nga lokali ‘Principotes’, nga 29-vjeçari, i cili tashmë është arrestuar. Sipas dëshmisë së këtij të fundit, thika me të cilën ka kryer krimin, nuk ishte e tij, por e 20-vjeçarit, të cilit ia ka marrë nga dora dhe më pas e ka qëlluar për vetëmbrojtje.
Natën e 18 gushtit, në lokalin ‘Principotes’ ishte organizuar një festë ku pjesë ishte dhe i riu nga Portugalia së bashku me miq të tij. Aty ka nisur një konflikt, fillimisht u tha se motiv ishte një vajzë, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar.
Autori ishte i punësuar si truprojë në lokal. Ai ka deklaruar se konflikti degradoi në përplasje fizike dhe se nga aty ndodhi dhe tragjedia. Në pamjet e kamerave të sigurisë duken vetëm momentet e para të sherrit dhe, për shkak të njerëzve që vrapojnë, nuk dallohet qartë. Ndërsa momenti i goditjes me thikë të 20-vjeçarit nuk është filmuar nga kamerat, për shkak se është distancë e largët dhe errësirë.
Lidhur me ngjarjen, policia ka arrestuar 11 persona, mes tyre dhe një efektiv i Policisë së Shtetit, i cili dyshohet për përfshirje në konflikt dhe se ka ndihmuar autorin të largohet nga vendi i ngjarjes. 29-vjeçari u arrestua disa orë më vonë në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një shtetase turke dhe një pasagjer me të njëjtën kombësi.