Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se më 14 dhe 15 gusht 2026, nga ora 23:00 deri në 05:00, do të aplikohet devijim i përkohshëm i trafikut në autostradën Tiranë-Durrës, për shkak të montimit të trarëve metalikë të mbikalimit të ri të Kasharit.
Ndërhyrja kryhet në kuadër të punimeve për objektin “Zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës (Faza III)”.
Sipas ARRSH-së, për realizimin e punimeve dhe garantimin e sigurisë rrugore do të bllokohen dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Tiranë-Durrës.
Gjatë orarit të punimeve, trafiku i mjeteve që udhëtojnë drejt Durrësit do të devijohet në dy korsitë e anës së majtë të autostradës. Këto korsi do të funksionojnë përkohësisht si rrugë me dy drejtime lëvizjeje.
Ndërkohë, mjetet që kanë destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës do të vijojnë lëvizjen pa pengesë, sipas njoftimit të ARRSH-së.
Autoriteti Rrugor Shqiptar u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes gjatë këtij intervali dhe kërkoi mirëkuptimin e bizneseve dhe banorëve të zonës për ndërhyrjen e planifikuar.
