/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët ka akuzuar qeverinë për censurë ndaj opozitës dhe ka kundërshtuar të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) lidhur me pasqyrimin mediatik të forcave politike.
Berisha tha se të dhënat e AMA-s mbi përmendjen e partive apo individëve nuk tregojnë ndikimin e tyre real në media, pasi, sipas tij, ato matin vetëm numrin e rasteve kur përmendet një emër.
“Edi Rama, duke përdorur një tregues që nuk ka asnjë lidhje me kapjen apo moskapjen e medieve, përpiqet të bindë të tjerët se mediat, sipas përmendjes, të themi, e injorojnë Ramën dhe PS-në dhe u kushtohen atyre vetëm 36 për qind kundrejt 64 për qind që i kushtojnë PD-së”, u shpreh Berisha.
“Në këtë analizë, që AMA me porosi të Edi Ramës, i servir atij, dëshmohet se mediet e kontrolluara nga qeveria merren ditë e natë me shkrime, artikuj, lajme, debate kundër opozitës”, theksoi Berisha.
“Përmendja e partive apo individëve nuk tregon aspak ndikimin e tyre mbi mediet, tregon se sa herë lakohet emri i tyre. Dhe natyrisht, në lakimin për keq nga mediet e qeverisë, ka një person që është kampion dhe ky është Sali Berisha”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së tha se zyra e shtypit e PD-së ka monitoruar katër televizionet kombëtare, RTSH, Top Channel, Klan dhe Vizion Plus, për një periudhë 30-ditore.
Sipas të dhënave të paraqitura prej tij, këto televizione i kanë kushtuar Edi Ramës dhe Partisë Socialiste gjithsej 15 orë, 10 minuta e 59 sekonda, ndërsa opozitës 4 orë, 46 minuta e 43 sekonda, ose rreth 23,9% të kohës.
“Katër televizionet kombëtare: televizioni shtetëror, Top Channel, Klan dhe Vizion Plus, i kanë kushtuar Edi Ramës dhe PS-së në 30 ditë të marra së bashku 15 orë, 10 minuta dhe 59 sekonda. Pra, 15 orë kundrejt vetëm 4 orëve, 46 minutave dhe 43 sekondave”, u shpreh Berisha.
Ai solli si shembull edhe datën 26 qershor, kur, sipas monitorimit të PD-së, opozita kishte marrë 1 minutë e 30 sekonda kohë televizive, ndërsa Partia Socialiste 48 minuta e 45 sekonda.
Berisha e cilësoi këtë një pabarazi ekstreme dhe kërkoi që organizatat e gazetarëve dhe mediat të monitorojnë pasqyrimin e aktiviteteve politike në televizionet kombëtare.
Kreu i PD-së u bëri thirrje mediave dhe organizatave të gazetarëve që të fokusohen te monitorimi i pavarësisë dhe pluralizmit mediatik.
“Ftoj organizatat e gazetarëve shqiptarë, të cilat nuk duhet të pajtohen me një situatë të tillë dramatike pabarazie të monitorojnë dhe t’u thonë shqiptarëve të vërtetën”, deklaroi ai.
