Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e situatës së zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku janë raportuar gjithsej 23 vatra zjarri.
Sipas ministrisë, aktualisht vetëm dy vatra vijojnë të jenë në monitorim, ndërsa nuk raportohet asnjë vatër problematike që të paraqesë rrezik për zonat e banuara.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 47 automjete zjarrfikëse dhe 445 forca operacionale. Në mbështetje të tyre kanë qenë edhe 65 efektivë të Forcave të Armatosura, tre automjete zjarrfikëse të FA-së, dy helikopterë dhe një avion “Air Tractor”.
Në Dajt dhe Priskë zjarret janë shuar, ndërsa zonat vijojnë të monitorohen nga strukturat vendore.
Ndërhyrjet kanë përfunduar edhe në Çikallesh dhe Leshtej-Collak të Kavajës, pas angazhimit të forcave zjarrfikëse nga disa bashki dhe mbështetjes nga ajri.
Zjarri është shuar edhe në Mushnik të Rrogozhinës.
Në Mallakastër, në zonën Ndrenie-Vlosh-Panahor, vijon puna për shuarjen përfundimtare të zjarrit. Vatra mbetet aktive nën kurorën e pemëve në krahun verior, por po mbahet nën monitorim.
Zjarri është shuar gjithashtu në Plan të Bardhë të Klosit, Kostren 2 të Beratit dhe Uruçaj të Peqinit. Edhe vatrat e tjera të raportuara gjatë 24 orëve të fundit janë neutralizuar.
Autoritetet bëjnë me dije se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe janë në gatishmëri për ndërhyrje në rast të riaktivizimit të ndonjë vatre.
