Drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho, zhvilloi sot një takim me dyer të mbyllura me gazetarët.
Gjatë takimit, sipas raportimit nga mediet, Braho foli sa i takon arrestimeve nga Byroja Kombëtare e Hetimit duke theksuar se në asnjë rast synimi i SPAK nuk është të zëvendësojnë Policinë e Shtetit.
Ai theksoi se qëllimi është të krijohet një grup i posaçëm për veprime operacionale.
“Ligji nuk e kushtëzon që arrestimet të kryhen vetëm nga BKH-ja. Megjithatë, BKH-ja ka nevojë të plotësohet me disa funksione që aktualisht i mungojnë, si në aspektin njerëzor ashtu edhe në atë teknik. Ne nuk synojmë të zëvendësojmë Policinë e Shtetit. Qëllimi është të krijohet një grup i posaçëm për veprime operacionale, me pavarësi të plotë në veprimtarinë e tij. Sërish, ne nuk mund ta zëvendësojmë Policinë e Shtetit dhe nuk mund të funksionojmë pa bashkëpunimin me të”, tha Braho, raportojnë gazetarët e pranishëm në këtë takim informal.
Braho ka thënë gjatë këtij takimi me përfaqësues të medieve se “viti 2026 ka nisur me 616 procedime aktive. Nuk dua të bëj krahasim se si ka punuar prokuroria më parë dhe si punon tani”.
Kreu i SPAK u pyet mbi kallëzim penal për kreun e partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, pasi ky i fundit e mori nga Kuvendi marrëveshjen sekrete të huasë 302 milionë dollarë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe iku me vrap korridoreve të Kuvendit.
Ai konfirmoi se ka një kallëzim penal për Shehaj në SPAK, ndërsa theksoi se institucioni po kryen verifikimet e duhura.
“Ka një kallëzim penal që ka mbërritur është më proces verifikimi. Prokurori po verifikon pretendime dhe do dalë me një vendim“, tha ai.
Lidhur me hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, Braho tha se “në hetim janë angazhuar 9 oficerë të BKH-së dhe 3 prokurorë. Hetimet janë në vijim”.
I pyetur nëse SPAK do t’i drejtohet sërish Kuvendit me një kërkesë të re pas refuzimit të mëparshëm për masën e arrestit, Braho u shpreh se vendimi i Parlamentit nuk i ka penguar hetimet dhe se çdo kërkesë e re do të varet nga provat dhe rrethanat e reja që mund të dalin gjatë procesit hetimor, si dhe nga mundësia për të kapërcyer argumentet mbi të cilat u mbështet vendimi i Kuvendit.
I pyetur në lidhje me çështjen e “The Albanian Files”, Braho tha se “janë depozituar dy materiale kallëzuese. Aktualisht ndodhen në fazën e verifikimit, ndaj nuk kam komente për to. Do të sqarohet çdo pretendim dhe çdo fakt që i vihet në dispozicion Prokurorisë. Kur ekzistojnë shkaqe ligjore, fillon hetimi; kur ato mungojnë, hetimi nuk fillon”.
