Yndyrnat natyrale që gjenden në qumësht dhe produktet e tij nuk duket se rrisin rrezikun për sëmundje të zemrës, goditje në tru apo diabetin e tipit 2, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore “Nutrition Research”.
Studimi u udhëhoq nga Dr. Sophie Gayet-Boyer dhe kolegët e saj, një grup studiuesish ndërkombëtarë nga Franca dhe vende të tjera evropiane, të specializuar në fushën e ushqyerjes dhe shëndetit kardiometabolik.
Studiuesit analizuan rezultatet e 22 studimeve të kryera në Evropë, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përfshirë si prova klinike të kontrolluara, ashtu edhe studime afatgjata që kanë ndjekur mijëra persona për vite me radhë.
Qëllimi ishte të vlerësohej nëse yndyrnat e pangopura me origjinë natyrale, të pranishme në qumësht, djathë, kos dhe produkte të tjera të bulmetit, ndikojnë në shëndetin e zemrës dhe metabolizmin.
Rezultatet treguan se nuk u gjet asnjë lidhje e qartë midis konsumit të këtyre yndyrnave dhe rritjes së rrezikut për: sëmundje të zemrës; goditje në tru; vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare apo diabet të tipit 2.
Në provat klinike, pjesëmarrësit konsumuan në ditë nga 1,3 deri në 13,2 gramë yndyrna natyrale nga produktet e qumështit.
Edhe në nivelet më të larta të konsumit, studiuesit nuk vunë re përkeqësim të kolesterolit apo të treguesve të tjerë të yndyrnave në gjak.
Autorët theksojnë se këto rezultate nuk nënkuptojnë se dietat me shumë yndyrë janë domosdoshmërisht të shëndetshme.
Sipas tyre, burimi i yndyrave natyrale ka rëndësi të madhe.
Yndyrnat industriale, të cilat krijohen gjatë përpunimit të vajrave bimore dhe gjenden në disa ushqime të përpunuara, të skuqura, produkte pastiçerie dhe ushqime të gatshme, janë të lidhura prej kohësh me një rrezik më të lartë për sëmundje kardiovaskulare.
Në të kundërt, yndyrnat natyrale formohen në mënyrë natyrshme në stomakun e lopëve, deleve dhe ripërtypësve të tjerë dhe kalojnë në qumësht e mish.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme, për të kuptuar më mirë efektet afatgjata të këtyre yndyrnave.
Sipas autorëve, mesazhi kryesor mbetet i pandryshuar: një regjim ushqimor i ekuilibruar, i pasur me fruta, perime, drithëra të plota dhe ushqime të papërpunuara, si edhe kufizimi i yndyrnave industriale, vazhdon të jetë mënyra më e mirë për të mbrojtur shëndetin e zemrës.
