Andrea Pirlo nuk do të jetë trajneri i ri i Kombëtares së Italisë. Ish-kampioni i botës konfirmoi përmes një mesazhi në rrjetet sociale se është njoftuar se nuk konsiderohet më kandidati për drejtimin e “Axurrëve”.
Sipas mediave italiane, presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Giovanni Malagò, ka vendosur të bllokojë emërimin e Pirlos, pas polemikave të forta që shoqëruan kandidaturën e tij.
Në qendër të debatit ishte bashkëpunimi komercial i ish-mesfushorit me platformën ruse të basteve sportive “Fonbet”, si edhe lidhjet me klubin Dubai United, që drejtohet nga oligarku rus Sergey Lomakin.
Këto elemente kanë shkaktuar reagime politike dhe institucionale, ndërsa janë ngritur edhe dyshime për një konflikt të mundshëm interesi, pasi djali i tij ushtron aktivitet si agjent sportiv.
Në reagimin e tij, Pirlo theksoi se bashkëpunimi kishte vetëm karakter sportiv dhe komercial, duke mohuar çdo interpretim politik.
Ai falënderoi Paolo Maldinin dhe Leonardon për besimin e treguar, ndërsa shprehu keqardhje që një vendim sportiv u kthye në një debat publik.
Ndërkohë, situata rrezikon të shkaktojë një tërmet në drejtimin e Federatës.
Raportohet se Maldini dhe Leonardo po shqyrtojnë dorëheqjen nëse zgjidhet një trajner tjetër, duke e futur projektin teknik të kombëtares në një fazë të re pasigurie.
Mes emrave më të përfolur janë Roberto Mancini dhe Antonio Conte, ndërsa Giorgio Chiellini dhe Claudio Ranieri shihen si kandidatë për një rol në ristrukturimin e Federatës.
Emri i trajnerit të ri pritet të zyrtarizohet deri më 31 korrik.
Kushdo që do të marrë drejtimin e Italisë do të përballet me një sfidë të madhe, të rindërtojë një kombëtare që vjen pas tre dështimeve radhazi për t’u kualifikuar në Kupën e Botës dhe ta rikthejë mes protagonisteve të futbollit ndërkombëtar.
