Një 37-vjeçar, pronar i një servisi automjetesh në zonën e Astirit në Tiranë, është arrestuar nga policia pasi dyshohet se ka mashtruar klientët duke marrë pagesa për riparime që nuk i ka kryer.
Policia ka dokumentuar 6 raste dhe dyshon se në disa raste ai ka tentuar edhe të shesë automjetet që i ishin lënë për rregullim.
Gjatë operacionit “Skema” u sekuestruan 5 automjete, ndërsa hetimet vijojnë për raste të tjera të mundshme.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Finalizohet nga Komisariati Nr. 6, operacioni i koduar “Skema”. Arrestohet pronari i një servisi automjetesh në Astir, për mashtrim. Dokumentohen 6 raste të kësaj veprimtarie kriminale, të kryera nga ky shtetas.
I arrestuari, përveçse nuk ka riparuar automjetet për të cilat është paguar, në disa raste ka tentuar t’i shesë ato.
Sekuestrohen nga ambientet e subjektit, 5 automjete, të cilat iu lanë në ruajtje pronarëve të tyre.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera menjëherë pas kallëzimeve të disa qytetarëve, se nuk kishin iu ishin riparuar automjetet, pavarësisht se i kishin paguar paratë, pronarit të një subjekti në këtë fushë, në zonën e quajtur “Astiri”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin e koduar “Skema”.
Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, M. H., 37 vjeç, si dhe u dokumentuan 6 raste të kësaj veprimtarie kriminale. Përveç mashtrimit, nga hetimet dyshohet se në disa raste, 37-vjeçari ka tentuar të shesë automjetet që i ishin lënë për riparim.
Punohet për dokumentimin e rasteve të tjera në këtë fushë, që mund të ketë kryer shtetasi M. H. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
