Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftoi sot se në vijim të operacionit të koduar “Basti i Fundit”, si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera, u arrestuan në flagrancë një punonjës policie dhe dy shtetas.
AMP vuri në pranga Lutfi Dervishin me detyrë ndihmësspecialist i Policimit në Komunitet, me zonë mbulimi qytetin e Fushë-Krujës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.
Gjatë kontrollit në banesë iu gjetën 119 fishekë model 9mm.
Gjithashtu u arrestuan edhe Sabah Stafuka, banues në Arrameras, Fushë-Krujë dhe Fatmir Stafuka, banues në Arrameras, Fushë-Krujë.
Sipas AMP-së, arrestimi i shtetasve Sabah Stafuka dhe Fatmir Stafuka u krye për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet objekt hetimi, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 4 pajisje elektronike (makineta) të dyshuara për ushtrimin e lojërave të fatit; 2 serverë/njësi kompjuterike, të dyshuara se përdoreshin për aktivitetin e kundërligjshëm; 1 pajisje DVR; 5 qese me mbështjellje plastike, që përmbanin lëndë të dyshuar narkotike, me peshë totale 2.22 gramë; 6 qese të vogla plastike, që përmbanin lëndë të dyshuar narkotike, me peshë totale 4.41 gramë; 3 aparate telefonike celulare.
Veprimet hetimore vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme, identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë, si dhe evidentimin dhe dokumentimin e çdo rasti të favorizimit, mbështetjes apo mosveprimit nga punonjës të strukturave ligjzbatuese.
