Kryeministri Edi Rama tha sot se protestat mbeten një element thelbësor i demokracisë, por paralajmëroi se në epokën e rrjeteve sociale ato mund të shtrembërohen nga algoritmet dhe të krijojnë një realitet digjital që nuk pasqyron domosdoshmërisht atë që ndodh në terren.
Duke folur në forumin europian të inovacionit dhe sipërmarrjes “Ruhr Summit”, Rama iu referua protestës që po zhvillohet prej disa javëve në Shqipëri, e cila u bë e njohur ndërkombëtarisht si revolucioni i flamingove.
“Si Kryeministër e konsideroj këtë protestë si një mesazh të rëndësishëm për mua dhe për Qeverinë time. Po dëgjoj dhe po përpiqem ta kuptoj këtë mesazh me shumë kujdes, jo duke numëruar njerëzit në rrugë apo duke matur hashtagët, por duke u përpjekur të kuptoj shqetësimet, ankthet dhe shpresat që i sollën njerëzit aty”, u shpreh Rama.
Rama tha se një “Qeveri që ndalon së dëgjuari, ndalon edhe së qeverisuri”.
Sipas Ramës, protesta është pjesë e transformimit demokratik të Shqipërisë, pasi vendi ka kaluar nga një periudhë kur protestat nuk lejoheshin dhe dakordësia ishte e detyrueshme, në një realitet ku qytetarët mund të shprehin lirisht pakënaqësitë e tyre.
Rama kujtoi se në të njëjtin bulevard ku sot qytetarët protestojnë të lirë, vite më parë humbën jetën protestues gjatë demonstratave.
Kreu i Ekzekutivimit vuri në dukje se zhvillimet teknologjike kanë ndryshuar mënyrën se si perceptohen protestat.
Sipas Ramës, protesta është futur në mekanizmin e amplifikimit algoritmik, ku aktorë dashakeqë dhe platformat digjitale mund të deformojnë realitetin.
“Çdo zë u shndërrua në rekomandim, çdo ekzagjerim në angazhim dhe çdo reagim emocional në një sinjal që platformat të prodhonin edhe më shumë nga e njëjta gjë. Konteksti u zhduk, kompleksiteti u zhduk dhe protesta online nuk po përshkruante më protestën reale, por një demonstrim më të madh dhe më të zemëruar”, tha Rama, ndërsa shtoi se në këtë protestë morën pjesë individë që nuk kanë qenë kurrë më parë në Shqipëri dhe nuk përjetuan demonstratën reale, por versionin e krijuar nga algoritmet.
“Realiteti digjital u bë më ndikues se ai fizik”, u shpreh Rama, duke shtuar se problemi nuk është protesta në vetvete, por shtrembërimi dhe zëvendësimi i realitetit përmes optimizimit algoritmik.
Rama tha se ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar, por një sfidë që po prek demokracitë në mbarë botën.
Në një koment në mbyllje të fjalës, Rama argumentoi se demokracitë janë duke dëmtuar veten.
“Kam frikë deri në një pikë moskthimi, sepse demokracitë, të mëdhatë, duke filluar që këtu e në vende të tjera të mëdha ku nuk ka dyshim që ka demokraci në veprim, ende nuk kanë gjetur kurajën për të bërë dallimin midis lirisë së shprehjes të fjalës dhe lirisë së shpërndarjes. Trajtimi i lirisë së shpërndarjes apo të shtrirjes si zgjatimi i lirisë së fjalës do të thotë të heqësh dorë nga e vërteta, të heqësh dorë nga nuanca, të heqësh dorë nga dyshimet dhe të bësh apo të lësh të ndodhë diçka që diktatura e ka bërë gjithmonë. Çdo diktaturë mbështetet te shpërndarja, te shtrirja në çdo mendje, te mbjellja në çdo tru të vërtetës së vetë zyrtare duke shtypur çdo alternativë tjetër dhe çdo mendim tjetër. Algoritmi nuk ka nevojë që të shtypë përmes një policie sekrete apo duke rrahur njerëz në rrugë apo edhe duke mbajtur të burgosur politikë”, theksoi ai.
“Algoritmi thjesht mbyt gjithçka tjetër përveç indinjatës dhe kjo është ajo pastaj që ju shihni në Gjermani e ajo që shohim kudo në Europë, shohim si politika bëhet gjithmonë e më shumë një fushë betejë midis ekstremeve e se si qendra bëhet gjithmonë e më shumë një hapësirë e zbrazët ku çdo ekstrem që merr votat për të drejtuar vendin e që reket të vijë më shumë në qendër prodhon një tjetër ekstrem që është edhe më keq se çka qenë ky ekstrem apo se ç’është konsideruar të ishte. Cili është fundi i kësaj? Nuk e di”, shtoi ai.
