Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, drejtoria rajonale Tiranë, arrestoi në flagrancë punonjësin e Gardës së Republikës, H. S si dhe punonjësin e Policisë së Shtetit E.M, të dyshuar për veprën penale “Dhuna në familje”.
Sipas AMP-së, hetimet për H.S nisën pas kallëzimit të bashkëshortes së tij, e cila denoncoi ushtrimin e dhunës fizike dhe psikologjike, si edhe kanosje të përsëritura.
AMP bëri me dije se në vijim të veprimeve procedurale u krye kontrolli i banesës së shtetasit, ku u sekuestruan tre telefona celularë me interes për hetimin.
Pas administrimit të provave dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, AMP bëri arrestimin në flagrancë të punonjësit të Gardës së Republikës, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Sa i përket punonjësit të Policisë së Shtetit, E.M, ndalimi u krye pas veprimeve të menjëhershme hetimore lidhur me dyshimet se shtetasi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës së tij të mitur.
Pas vlerësimit të rrethanave dhe autorizimit të prokurorit, AMP procedoi me ndalimin e tij. Materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndërsa i ndaluari është vendosur në dispozicion të organit të akuzës për vijimin e procedurave ligjore.
