Një person është plagosur me armë zjarri këtë të hënë, 29 qershor, në Pogradec.
Bëhet me dije se i plagosuri ka marrë dëmtime në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sa i përket autorit të dyshuar, me iniciale N.A., është arrestuar në Përrenjas, por automjeti i tij është gjendur në afërsi të Qafë Thanës. Gjithashtu, është arrestuar një person, i cili ka qenë bashkë me autorin kur ka ndodhur plagosja.
“Plagosi me armë zjarri një 35-vjeçar në Pogradec dhe u largua, kapet në Përrenjas pas disa minutash ndjekjeje nga Policia. Rreth orës 13:15, në lagjen nr. 3, dyshohet se, gjatë një konflikti, shtetasi N. A., 24 vjeç, banues në Buçimas, Pogradec, ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasin B. S., rreth 35 vjeç, i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë së Pogradecit, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Përrenjas, kapën dhe po shoqërojnë në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, autorin e dyshuar të ngjarjes. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të konfliktit dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes“, njoftojnë uniformat blu.
Nuk dihet motivi i ngjarjes, por autori i dyshuar (N.A.) u plagos vitin e kaluar nga (S.S.), vëllai i të plagosurit së sotëm (B.S.) në një berbehane. Ngjarja ka ndodhur në janar të vitit 2025.
