Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, një nga institucionet më të rëndësishme të kujdesit shëndetësor për gratë dhe të porsalindurit në vend, është transformuar tërësisht, falë një investimi që e ngre shërbimin e ofruar në standardet më të mira europiane.
Me ambiente moderne, teknologji të avancuar dhe kushte të denja për stafin mjekësor dhe pacientët, ky investim shënon një tjetër hap të rëndësishëm në modernizimin e sistemit shëndetësor.
Materniteti, i cili ofron shërbim për mbi 20 mijë paciente në vit dhe mbështetet nga një trupë mjekësore e nivelit më të lartë profesional, do të disponojë tashmë infrastrukturën dhe kapacitetet e nevojshme për të realizuar misionin e tij në ofrimin e kujdesit shëndetësor të përparuar dhe individual për gratë në çdo fazë të jetës së tyre, duke integruar mjekësinë e specializuar, shkencën dhe teknologjinë.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast mori pjesë kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se transformimi i sistemit shëndetësor është i dukshëm dhe se qeveria do të vijojë të mbështesë bluzat e bardha me rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës.
Rama tha se godina e re përfaqëson një tjetër hap në modernizimin e shërbimeve shëndetësore, duke ruajtur edhe elementët me vlerë të trashëgimisë kulturore.
“Dua vetëm të them që më vjen jashtëzakonisht mirë që jemi në një tjetër finish, pas një tjetër maratone, ku faktikisht ndërmorën një transformim të domosdoshëm, por edhe rrënjësor të kësaj strukture dhe sot hapim dyert e një materniteti tërësisht të rilindur, duke e pasur edhe kujdesin për çka i takon të kaluarës si trashëgimi kulturore, por edhe hapësirat e reja, të cilat i shtohen këtij materniteti dhe e bëjnë më të lehtë pa diskutim shërbimin, e bëjnë shumë më cilësor edhe qëndrimin e nënave dhe të fëmijëve që hyjnë dhe dalin nga materniteti. Transformimi i shëndetësisë është në sytë e të gjithë atyre që duan të shohin, por shëndetësia është në të njëjtën kohë edhe në gojët e të gjithë atyre që nuk duan të shohin”, tha Rama.
Kreu i qeverisë vlerësoi punën e mjekëve, infermierëve dhe të gjithë punonjësve të shëndetësisë, duke thënë se ata përballen me një ngarkesë të madhe pune dhe me kritika të shumta.
Sipas tij, sistemi shëndetësor sot ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me një dekadë më parë, duke përmendur uljen e problemeve që lidhen me kushtet higjienike dhe infeksionet pas ndërhyrjeve kirurgjikale.
“Dhe dua të bëj atë që bëj gjithmonë kur më jepet mundësia, t’i shpreh respektin tim të gjithë mjekëve, infermierëve, të gjithë punonjësve të shëndetësisë, të cilët bëjnë një punë të jashtëzakonshme dhe të cilët përballen po ashtu edhe me një furi të jashtëzakonshme fjalësh që nuk i meritojnë. Por kjo është jeta, kështu i kemi ndarë detyrat; disa duhet të bëjnë punën, disa nuk mbetet gjë tjetër veçse “t’i lehin” karvanit që shkon përpara.
“Dua vetëm të kujtoj që sot, ne në sistemin tonë shëndetësor kemi shumëçka për të numëruar, por nuk kemi shumë nga ato probleme që kishim, jo larg, por një dekadë më parë; nuk kemi numrin marramendës të infeksioneve postoperatore që mbanin njerëzit me ditë të tëra në spital mbas operacionit si rezultat i kushteve jashtëzakonisht të vështira higjienike dhe si rezultat i instrumenteve mjekësorë tërësisht të dalë boje”, tha ai.
Rama deklaroi se në sistemin shëndetësor shqiptar kryhen rreth 100 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit, ku pjesa më e madhe realizohen në sallat e operacionit dhe pjesa tjetër janë ndërhyrje mikrokirurgjikale.
“Dhe në sistemin tonë shëndetësor kryhen afro 100 mijë ndërhyrje kirurgjikale, nga të cilat mesatarisht, 65-70 mijë janë ndërhyrje në sallën e operacionit dhe 25-30 mijë të tjera janë ndërhyrje mikrokirurgjikale. Është një volum i jashtëzakonshëm shërbimi, i cili flet për faktin që mjekët dhe infermierët në Shqipëri i shërbejnë publikut, i shërbejnë qytetarëve, i shërbejnë njerëzve që kanë nevojë për ta me dinjitet dhe si çdo gjë tjetër që ndodh fatkeqësisht në sistem dhe që i bie ndesh gjithë shumicës dërmuese të bluzave të bardha, nuk e ndyn dot pastërtinë e këtyre bluzave dhe natyrisht është pjesë e objektivit për ta bërë dhe më të mirë sistemin, për ta pastruar tërësisht nga çdo lloj kanali ku shkon e vjen llumi i ryshfetit”, tha Rama.
Rama theksoi se qeveria do të vijojë përpjekjet për rritjen e pagave dhe përmirësimin e mirëqenies së familjeve të mjekëve dhe infermierëve.
“Dhe në mbyllje dua të shtoj që ne e kemi bërë çmos që pagat tuaja të rriten në mënyrë të vazhdueshme. I kemi rritur shumë ndjeshëm, që ne do të vazhdojmë t’i rrisim pagat. Ne do vazhdojmë të kujdesemi për mirëqenien e familjeve tuaja, të cilët sakrifikojnë shumë, pasi ndryshe nga shumë profesione të tjera, ju keni profesion ku familja është e detyruar t’ju ndajë me shumë të tjerë. Nuk ju ka dot vetëm për vete e kam fjalën”, tha Rama.
