Një operacion i vështirë kërkim-shpëtimi është zhvilluar për rreth 8 orë në Kanionet e Gjipesë, ku 4 turistë polakë u lokalizuan dhe u evakuuan me sukses pas mbetjeve të tyre të bllokuar në një zonë të thepisur dhe me rrezik të lartë për jetën.
Sipas Policisë, turistët kishin rënë në një greminë gjatë eksplorimit të kanioneve, ndërsa njëri prej tyre kishte pësuar dëmtime.
Menjëherë pas njoftimit, në terren u angazhuan shërbimet e Policisë së Himarës, DVP Vlorë, forcat speciale DELTA, zjarrfikësit, alpinistë të zonave të mbrojtura dhe ekipet mjekësore, ndërsa në operacion u përfshi edhe helikopteri i Forcave të Armatosura.
Për shkak të terrenit shumë të vështirë dhe shkëmbor, ndërhyrja ajrore nuk arriti të realizohej në zonën ku ndodheshin turistët, duke e bërë operacionin kryesisht tokësor dhe të ndërlikuar.
Ekipet e shpëtimit punuan në kushte të vështira gjatë orëve të natës për të arritur tek të bllokuarit.
Pas përpjekjeve intensive dhe koordinimit të strukturave të ndryshme, turistët u evakuuan një nga një dhe operacioni përfundoi me sukses rreth mesnatës.
Turisti i dëmtuar mori menjëherë ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa tre turistët e tjerë janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, turistët polakë shprehën mirënjohje për shpëtimin dhe profesionalizmin e treguar në një situatë të rrezikshme.
