📻 RADIO ISLAME
🔊
⚙️

Accessibility Settings

🌙 Dark
Contrast
🔄 Invert
Gray
📖 Readable
🔤 Dyslexia
A+
A-
Line +
Line -
Spacing +
Spacing -
Zoom +
Zoom -
🖼️ Img
🔗 Links
H Titles
🛑 Anim
🔇 Mute
🐢 Cursor
🔊 Read
7858a77393069e327e4f3e11630dc5bad8ddcd57

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rikthyer përplasjen me aleatët evropianë, këtë herë për shkak të taksave mbi shërbimet dixhitale, që disa vende të Bashkimit Evropian po aplikojnë ndaj kompanive amerikane të teknologjisë.

Trump ka kërcënuar me vendosjen e tarifave doganore deri në 100% ndaj të gjitha mallrave të importuara nga çdo vend evropian që vendos një taksë të tillë mbi kompanitë amerikane.

Paralajmërimi u bë përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth, ku ai deklaroi se çdo shtet që aplikon një “Digital Services Tax” do të përballet menjëherë me tarifa të reja ndaj eksporteve drejt SHBA-së.

“Ky është një paralajmërim për çdo vend që vendos një taksë të tillë. Mallrat e tyre të eksportuara drejt Shteteve të Bashkuara do të përballen me një tarifë 100%”, shkroi Trump, duke shtuar se këto masa do të zëvendësojnë marrëveshjet ekzistuese tregtare me vendet përkatëse.

Reagimi nga Brukseli ishte i menjëhershëm. Komisioni Evropian deklaroi se Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare kanë të drejtën sovrane të rregullojnë aktivitetet ekonomike në territorin e tyre, në përputhje me vlerat demokratike dhe angazhimet ndërkombëtare.

“Masat e njëanshme që synojnë politikat legjitime të BE-së janë të pajustifikuara. Nëse do të ndërmerren, Bashkimi Evropian do të përgjigjet shpejt dhe me vendosmëri për të mbrojtur të drejtat dhe autonominë e tij rregullatore”, tha një zëdhënës i Komisionit.

Sipas ekzekutivit evropian, taksat dixhitale nuk janë diskriminuese, pasi zbatohen njësoj ndaj të gjitha kompanive të mëdha, pavarësisht origjinës së tyre.

Brukseli theksoi gjithashtu se ka mbështetur vazhdimisht një zgjidhje globale për një “taksim të drejtë të ekonomisë dixhitale”, në përputhje me diskutimet në nivelin e vendeve të G7 dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Aktualisht disa vende të BE-së kanë vendosur tashmë taksa ndaj shërbimeve dixhitale. Franca, Italia, Spanja, Austria, Danimarka, Hungaria, Polonia dhe Portugalia aplikojnë forma të ndryshme të kësaj takse, ndërsa Belgjika, Republika Çeke, Letonia, Sllovakia, Sllovenia dhe Norvegjia kanë njoftuar planet për futjen e saj.

Në Itali, ku taksa është në fuqi që prej vitit 2020, norma është 3%, njësoj si në Francë, Belgjikë, Spanjë dhe Letoni. Në Danimarkë është 2%, në Portugali 4%, në Austri 5%, ndërsa në Hungari arrin në 7.5%.

Disa vende anëtare të BE-së po kërkojnë gjithashtu që një taksë e përbashkët për shërbimet dixhitale të aplikohet në nivel evropian, me argumentin se ajo mund të ndihmojë në financimin e buxhetit të ardhshëm të Bashkimit Evropian për periudhën 2028-2034.

Përplasja e re mes Uashingtonit dhe Brukselit vjen në një kohë kur marrëdhëniet tregtare transatlantike mbeten të tensionuara, ndërsa debati mbi mënyrën e taksimit të gjigantëve teknologjikë amerikanë si pjesë e ekonomisë globale vijon të jetë një nga çështjet kryesore në arenën ndërkombëtare.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

🔴 LIVE TV
Verified by MonsterInsights