Me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit, u ekzekutuan sot gjashtë masa sigurie ”Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj gjashtë funksionarëve të shtetit.
Konkretisht masat janë caktuar ndaj A.Ç., N.B., A.Ç., G.S., L.K., M.K., përkatësisht me detyrë Administrator Shoqëror, Postier, Drejtor Drejtorie në Bashki, specialistë në Drejtorinë Rajonale, të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, ”Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.
Procedimi penal ndaj këtyre shtetasve do të dërgohet për gjykim pasi i është njoftuar akuza dhe kanë marrë statusin e të pandehurit.
Sipas prokurorisë, hetimet nisën mbi bazën e kallëzimit të një qytetari i cili pretendonte se abuzohej me skemën e ndihmës ekonomike, duke marrë shkas nga rasti i familjarëve të tij.
“Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria e Elbasanit në bashkëpunim më Seksionin për hetimin e krimit ekonomik/financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan kryen një hetim të plotë dhe të gjithanshëm, duke nxjerrë në pah abuzimet me fondet shtetërore sa i përket skemës së ndihmës ekonomike, në nivele nga Njësia administriative-Qytet-Qarku Elbasan. Hetimi është shtrirë vetëm në një Njësi Administrative të qarkut Elbasan, për periudhën Tetor 2024-Korrik 2025 dhe ka rezultuar një dëm ekonomik përafërsisht në vlerën 12 500 000 (dymbëshjetë milion e pesëqind mijë) lekë të reja. Kjo ka ardhur si pasojë e përfshirje në skemën e ndihmës ekonomike pa të drejtë të familjeve përfituese që nuk plotësonin kriteret ligjore për përfitim. Pas fillimit të hetimit penal, numri i familjeve përfituese është ulur, konkretisht nga 320 familje përfituese në 110 familje”, njoftoi prokuroria.
Prokuroria bëri me dije se në kuadër të këtij procedimi penal u arrit të provohet se funksionarët shtetërorë në bashkëpunim midis tyre, kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin duke mos administruar dokumentacionin e kërkuar, duke rritur fiktivisht numrin e familjeve përfituese, duke përvetësuar pa të drejtë shuma monetare si dhe duke mos ushtruar një kontroll efekt në mënyrë që të ndalohej kjo veprimtari e paligjshme.
