Këtë të martë, 16 qershor, mbahet seanca e radhës ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Ai nuk është paraqitur në seancë, por i është drejtuar me një kërkesë që gjykimi ndaj tij në GJKKO të transmetohet drejtpërdrejt për publikun, ose përmes kamerave të mediave, ose përmes një sinjali zyrtar të vetë gjykatës.
Argumentet kryesore që Veliaj paraqet janë:
– Procesi është publik sipas ligjit, ndaj transparenca nuk duhet të mbetet vetëm formale, por të realizohet në praktikë duke i dhënë mundësi qytetarëve ta ndjekin drejtpërdrejt.
-Interesi publik është i lartë, pasi ai është Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe akuzat lidhen me ushtrimin e detyrës së tij publike.
-Kapaciteti i sallës së gjyqit është i kufizuar, ndaj vetëm disa persona dhe gazetarë mund të jenë fizikisht të pranishëm, çka sipas tij nuk garanton transparencë të plotë.
-Transmetimi live nuk cenon procesin gjyqësor, duke sjellë si shembull praktikën e Gjykatës Kushtetuese, e cila transmeton seancat publike.
Veliaj kundërshton mundësinë që kërkesa të refuzohet bazuar në një udhëzim të KLGJ-së për mediat, duke pretenduar se një akt administrativ nuk mund të kufizojë një të drejtë të garantuar nga Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale.
Sipas tij, kamerat mund të ndalohen vetëm nëse gjykata provon se ekziston një rrezik konkret për procesin, dëshmitarët, privatësinë ose sigurinë, dhe jo në mënyrë të përgjithshme.
Ai thekson se, nëse gjatë procesit lind nevoja për mbrojtjen e të dhënave sensitive, gjykata mund të vendosë kufizime të pjesshme, por jo të ndalojë transmetimin e gjithë gjykimit.
Lidhur me mungesën e tij, Veliaj përmes një deklarate të dërguar në gjykatë, ka bërë me dije se është në dijeni të zhvillimit të seancës, por nuk dëshiron të marrë pjesë në të. Sipas Veliajt, arsyeja e mungesës lidhet me faktin se nuk i janë vënë në dispozicion 24 fashikujt e dosjes dhe provat digjitale. Ai pretendon gjithashtu se gjykata nuk ka zbatuar dispozitën ligjore që, sipas tij, i garanton të drejtën për të qenë i pranishëm në sallën e gjyqit si person i lirë.
Avokati i tij, Ndreca, theksoi se duhet të garantohet njohja me aktet, e më pas të vijohet gjykimi.
Prokurori i Posaçëm Ols Dado, kundërshtoi kërkesën për shtyrjen e gjykimit, duke deklaruar se nuk ekziston asnjë arsye ligjore për pezullimin e procesit, pasi të gjitha aktet janë vënë në dispozicion nga gjykata.
Sipas Dados, dokumentet proceduriale që kërkohen nga mbrojtja lidhen me të pandehur të tjerë dhe me episode të veçanta të hetimit, të cilat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pozicionin procedural të Erion Veliajt.
Pas shqyrtimit të pretendimeve, gjykata vendosi vijimin e seancës, duke argumentuar se vënia në dispozicion e akteve të kërkuara, për shkak të natyrës së tyre, nuk përbën shkak për ndërprerjen apo shtyrjen e gjykimit.
Kujtojmë se më 27 prill, dosja e Veliajt u nda në dy fraksione, pasi u pranua kërkesa e 11 të pandehurve. Mes tyre, biznesmeni Elman Abule dhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, që kërkuan gjykim të shkurtuar.
Theksojmë se procesi ndaj Veliajt do të jetë çdo të martë në orën 10:00.
