Muzikanti amerikan i zhanrit alt-pop dhe personazh i njohur i internetit, Oliver Tree, është mes gjashtë personave që humbën jetën pasi helikopteri me të cilin po udhëtonte u përplas me një tjetër në Brazil.
32-vjeçari ndodhej në turne botëror kur aksidenti ndodhi mbi Rio de Zhaneiro të dielën. Një nga helikopterët më pas u rrëzua në parkingun e një përfaqësie automjetesh, duke shkaktuar zjarr që përfshiu rreth 20 makina.
Pamje të publikuara nga mediat braziliane tregojnë momentin kur një nga helikopterët bie nga qielli, si dhe flakët dhe tym të dendur që ngrihen nga vendi i aksidentit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se ka nisur një hetim për shkaqet e përplasjes.
Departamenti Ushtarak i Zjarrfikësve të shtetit të Rio de Zhaneiros deklaroi se u njoftua për ngjarjen rreth orës 09:00 sipas orës lokale (12:00 GMT).
Sipas agjencisë Associated Press, mes pasagjerëve të tjerë dyshohet se ndodhej edhe krijuesi argjentinas i përmbajtjes Gaspar Prim Diaz, i njohur si “Gaspi”.
Në listën e pasagjerëve të helikopterit figuronin gjithashtu Lucas Brito Chaves, Lucas Vignale dhe piloti Alexandre Souza. Ekuipazhi i helikopterit tjetër përbëhej vetëm nga piloti Charles Marsillac.
Oliver Tree, i lindur si Oliver Tree Nickell në Santa Cruz të Kalifornisë në vitin 1993, u bë i njohur në vitin 2016 pas viraleve në rrjetet sociale. Me stilin e tij të veçantë dhe prerjen karakteristike të flokëve, ai njihej për këngë si “Life Goes On”, “Miss You” dhe “Alien Boy”.
Ai kishte nisur së fundmi një turne botëror, me koncertin e tij të fundit në São Paulo më 6 qershor. Më pas ishte planifikuar të performonte në Lisbonë më 1 korrik, si dhe në Glasgow, Manchester dhe Londër në shtator.
Reagime të forta kanë ardhur nga miq dhe kolegë të tij. YouTuber-i KSI, me të cilin kishte bashkëpunuar në këngën “Voices”, e quajti lajmin tronditës dhe shprehu dhimbjen e tij në rrjetet sociale.
Edhe aktori i “Jackass”, Steve-O (Stephen Glover), i ka bërë homazh artistit, duke thënë se kishte qenë me fat që ishte mik me të dhe se ai kujdesej rregullisht për të.
Oliver Tree ishte nominuar për një çmim Brit Awards në vitin 2024 për këngën “Miss You”, në bashkëpunim me producentin Robin Schulz.
Në vitin 2020, ai vendosi një rekord Guinness duke ndërtuar skuterin më të madh në botë, me lartësi 4.16 metra dhe gjatësi 3.13 metra.
