Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu theksoi sot nevojën për vizion të ri në zhvillimin e territorit, në funksion të rrugës europiane të Shqipërisë.
Në një videomesazh, Koçiu u shpreh se zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të bazohet në modele të njëjta për realitete të ndryshme, por kërkon politika të përshtatura sipas potencialit dhe veçorive të çdo rajoni.
Sipas saj, rajone të ndryshme të vendit kanë nevoja dhe potenciale të ndryshme zhvillimi, ku disa zona kërkojnë investime në bujqësi, të tjera në turizëm, agroindustri, energji apo zhvillim kulturor dhe bregdetar.
Koçiu veçoi gjithashtu zonat urbane si Tirana dhe Kamza, të cilat sipas saj përbëjnë një hapësirë të madhe metropolitane me nevoja specifike për politika të dedikuara në infrastrukturë, transport, strehim, arsim dhe shërbime publike.
Ajo theksoi se qasja e re synon që rajonet të mos mbeten vetëm ndarje administrative në hartë, por hapësira reale zhvillimi, ku investimet dhe politikat publike orientohen sipas nevojave konkrete dhe potencialit të secilës zonë.
“Qëllimi ynë është një zhvillim më i drejtë dhe i balancuar për çdo qytetar, pavarësisht nëse jeton në Tiranë, në zonat bregdetare, malore apo bujqësore të vendit”, u shpreh Koçiu.
