Autoritetet e Gjenevës presin manifestime të dhunshme nga të rinjtë që vijnë nga e gjithë bota dhe që njihen me emrin « Blak Bloc ».  Protesta e të rinjve në Tiranë është e një formati krejt tjetër. Mirëpo, si çdo protestë e këtyre përmasave, pra si çdo manifestim që nis si një zgjim nga një ëndërr e keqe, apo që nis nga një aksident dhe pastaj vjen e zmadhohet, edhe kjo protestë, tani ka arritur në një pikë që kërkon një zgjidhje. Nëse do të kthehet në një lëvizje politike, ajo nuk ka përse të ngurrojë, por mund të zgjedhë një përfaqësi dhe të nisë takimet dhe organizimin qytet më qytet, pikërisht tani që fryma dhe patetizmi janë të ngritura. Nëse ajo do të parapëlqejë modelin e teatrit me denoncime që bëhen nga të gjithë ata që duan të shfaqen në publik, kjo është një gjë tjetër. Është e natyrshme që të gjithë duan të përfitojnë prej saj. Por askush nuk duhet të harrojë se manifestimet e mëdha mund të shërbejnë edhe si valvul shkarkimi për emocionet negative që ka secili prej nesh në një botë të padrejtë. Në historinë e re të shqiptarëve, protesta e studentëve e vitit 2018 ishte, po ashtu, manifestim i një brezi të zemëruar. Për fat të keq, ajo u shua sapo aty ndërhynë për ta manipuluar për interesat politike partitë e opozitës.

Asnjë kërkesë dhe asnjë shqetësim që ngritën studentët në atë protestë nuk u realizua ashtu siç patën kërkuar studentët. Arsimi i lartë dhe universitetet si edhe kërkimi shkencor vijojnë të njëjtën krizë. Pikërisht këto ditë ka dhënë dorëheqjen rektori i Universitetit të Shkodrës, pas një përplasjeje me Ministrinë e Arsimit për shkak të ligjit të keq të Arsimit të Lartë. Në protestë ka edhe studentët që kanë mbushur përsëri sheshin në këtë manifestim, sepse ata përsëri ndihen të përjashtuar ngë jeta në këtë vend. Protesta tani ka arritur në një pikë që duhet të kthehet në një qëndrim shoqëror e politik, nëse është e nevojshme. Ajo nuk mund të shndërrohet në një vitrinë ku të ekspozojnë mllefet partitë e opozitës apo personazhe nga partitë e vogla që duan të barazojnë narrativën e tyre me atë të protestës.

Por, nëse drejtuesit e kësaj proteste duan të bëjnë aleancë me opozitën dhe të krijojnë një front të përbashkët, kjo është e drejta e tyre. Vetëm se protesta nuk mund të imitojë shëtitjet që bënte Lulëzim Basha nëpër rrugët e Tiranës, sepse ashtu do të humbiste anën e bukur dhe sublime që po shfaq këto ditë, por pa marshimet nëpër rrugë që shkatërrojnë jetën e pafajshme të atyre që kthehen nga puna e lodhshme dhe përballen me trafikun vrasës në Tiranë. Dhe më në fund, protesta nuk duhet ta harrojë fillimin dhe nuk duhet të braktisë ata që u bënë shkak për këtë shpërthim të zemërimit dhe që janë zonat e mbrojtura. Nëse pas këtij manifestimi qeveria dhe parlamenti nuk rishikojnë ligjin për zonat e mbrojtura, atëherë pas shumë vitesh të gjithë do të kujtojnë se shqiptarët dhe rinia e tyre protestuan në mënyrën më të bukur, por e harruan Zvërnecin.