Policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin e koduar “Trajektorja”, duke goditur një rast të trafikimit të lëndës narkotike heroinë nga Maqedonia e Veriut drejt Shqipërisë.
Gjatë kontrollit të një furgoni në aksin rrugor Bulqizë–Librazhd, policia gjeti 1 kilogram heroinë të fshehur në gomën e pasme të automjetit, në një çantë shpine. Së bashku me lëndën narkotike u sekuestruan edhe shuma parash në lekë, euro dhe dinarë, si dhe 2 celularë dhe automjeti tip “Fiat”.
Në pranga ranë dy shtetas, një 32-vjeçar nga Struga e Maqedonisë së Veriut dhe një 45-vjeçar nga Durrësi, të dy të dyshuar për trafik të lëndëve narkotike në bashkëpunim.
Njoftimi i policisë:
Strukturat hetimore të DVP Elbasan finalizuan operacionin e koduar “Trajektorja”, si rezultat i veprimeve hetimore të ndjekura me metoda speciale dhe të mbikëqyrura nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Goditet një rast i trafikimit të lëndës narkotike Heroinë, nga RMV-ja, në Shqipëri.
Sekuestrohen 1 kg të kësaj lënde, shuma parash (në lekë, euro dhe dinarë), 2 celularë dhe furgoni, në gomën e pasme të të cilit, ishte fshehur çanta me lëndën narkotike.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas.
Të arrestuar, shtetasi nga RMV-ja që kishte siguruar Heroinën dhe futur në Shqipëri, nëpërmjet kufirit të gjelbër, si dhe shtetasi që priti lëndën, në Shqipëri, me qëllim shitjen.
Si rezultat i një hetimi me metoda speciale, të mbikëqyrur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të dy shtetasve që dyshohet se do të transportonin me automjet, lëndë narkotike Heroinë, të trafikuar nga RMV-ja, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, finalizuan operacionin e koduar “Trajektorja”.
Automjeti i dyshuar, me të cilin lëviznin shtetasi nga RMV-ja, L. G., dhe shtetasi A. B., u ndalua për kontrolle, në aksin rrugor “Bulqizë–Librazhd”.
Nga kontrollet e imtësishme, u gjet në një çantë shpine, të fshehur në gomën e pasme të automjetit (furgon), 1 kg lëndë narkotike Heroinë, e cila dyshohet se ishte siguruar nga shtetasi L. G., në Maqedoni të Veriut.
Nga hetimi dyshohet se lënda narkotike ishte trafikuar nga ky shtetas, nëpërmjet kufirit të gjelbër, në Shqipëri, ku e priste me qëllim shitjen, shtetasi A. B..
Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit L. G., 32 vjeç, banues në Strugë dhe A. B., 45 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, lënda e dyshuar narkotike, automjeti (furgon) tip “Fiat”, 2 celularë, si dhe 40 000 lekë, 50 euro dhe 290 denarë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.
