Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka përgëzuar sot Policinë e Shtetit për goditjen e një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore në Vlorë.
Në një postim në rrjetet sociale, Lamallari ka publikuar pamje nga ky operacion dhe thekson se “arrestimi i personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, kapja e autorit të plagosjes së rëndë të ndodhur pak ditë më parë, si dhe sekuestrimi i armëve, mjeteve të blinduara dhe provave të tjera kriminale janë dëshmi e profesionalizmit, vendosmërisë dhe angazhimit të strukturave tona ligjzbatuese”.
“Lufta jonë kundër krimit të organizuar është një betejë pa kompromis. Kushdo që mendon se mund të sfidojë ligjin, të cenojë sigurinë publike apo të ngrejë dorë mbi rendin dhe qetësinë e qytetarëve, do të përballet me forcën e shtetit dhe drejtësisë”, deklaron ai.
Ministri shpreh mirënjohje “për çdo efektiv që shërben me përkushtim dhe kurajë. Kanë mbështetjen tonë të plotë dhe të palëkundur”.
