Hekurudha Shqiptare njoftoi sot se në kuadër të punimeve për ndërtimin e linjës Tiranë-Durrës -Rinas do të ketë bllokim dhe devijim të qarkullimit, për drejtuesit e mjeteve në vendin e njohur rrethrrotullimi i Treshit (ku ndërpritet rruga me shinat) pranë Kthesës së Kamzës.
Ky bllokim dhe devijim i qarkullimit do të zgjasë nga data 6-9 qershor.
Hekurudha Shqiptare sqaron se punimet dhe lëvizja do të kryhet sipas një grafiku me tre faza.
Në fazën e parë do të ketë bllokim total të qarkullimit nga 6 qershori ora 24:00 deri më 7 qershor ora 05:00.
Mjetet që do të vijnë për në Tiranë do të kalojnë nga rruga “Petrit Radovicka”, ndërsa mjetet nga Tirana për tek rrethrrotullimi do të kthehen tek Kthesa e Kamzës, për të vijuar në rrugën dytësore industriale ose në autostradë në drejtim të Vorës.
Në fazën e dytë do të ketë devijimi në korsinë nga ana e Tiranës. Punimet do të kryhen gjatë 7 qershorit ora 05:00 deri në orën 15:00, ndërkohë qarkullimi hapet pjesërisht me dy drejtime lëvizjeje (1 korsi për çdo kah).
Në fazën e tretë devijimi do të jetë në korsinë nga ana e Durrësit.
Punimet do të kryhen nga 7 qershori ora 23:00 deri në 9 qershor ora 10:00 ndërsa trafiku devijohet plotësisht në anën e Durrësit, duke funksionuar me dy kahe lëvizjeje (1 korsi për secilin kah).
Hekurudha Shqiptare kontraktori i punimeve dhe Policia Rrugore kanë marrë masa për menaxhimin e trafikut, ndërsa kërkohet mirëkuptimi i shoferëve dhe banorëve të zonës për të respektuar sinjalistikën dhe planifikimin e lëvizjeve paraprakisht.
