Kuvendi i Partisë Demokratike ka miratuar sot në parim, nen për nen dhe në tërësi, ndryshimet në statutin e partisë. Një nga pikat që mbetet e pandryshuar është i ashtuquajturi “neni Basha”, sipas të cilit kryetari i partisë duhet të japë dorëheqjen në rast humbjeje në zgjedhje.
“Statuti garanton funksionim demokratik dhe e vendos pushtetin në duart e anëtarëve, jo të strukturave të ngushta drejtuese. Ky është parimi që duhet ruajtur, sepse PD është e vetmja forcë ku vullneti i anëtarit ka peshë reale në vendimmarrje”, u tha gjatë diskutimeve.
Ndryshimet përfshijnë gjithashtu rritjen e përfaqësimit të diasporës, e cila do të ketë deri në 15% të vendeve në organet drejtuese dhe në listat e kandidatëve për zgjedhje.
Një tjetër risi është forcimi i rolit të grave dhe vajzave në parti, përmes rritjes së përfaqësimit dhe kuotave. Sipas drejtuesve të PD-së, kjo e bën partinë të parën forcë politike që rrit më tej përfshirjen e grave në strukturat e saj.
Gjithashtu, ndryshimet prekin edhe organizimin bazë të partisë, duke forcuar lidhjen mes degëve lokale dhe të zgjedhurve vendorë, me synimin për një strukturë më funksionale dhe më të koordinuar. Bardhi, tha se këto ndryshime synojnë ta bëjnë partinë më të hapur, më përfaqësuese dhe më të lidhur me anëtarësinë në çdo nivel.
NDRYSHIMET NE STATUT:
1. Fuqizimi i Diasporës shqiptare dhe përfaqësimi real politik i saj. 15% në lista dhe në organet e partisë duhet të jenë përfaqësues nga Diaspora.
2. Fuqizimi i rolit të grave dhe vajzave në Parti, duke e rritur përfaqësimin e tyre nga 30 % në 40%.
3. Ngritjen e Komisionit të Seleksionimit të Kandidaturave për deputet dhe kryetar bashkie, si strukturë autonome nga organet drejtuese të partisë, përpara realizimit të procesit të primareve.
4. Përmirësimi i organizimit bazë të partisë (grupseksionet dhe nëndega) dhe forcimi i Kolegjit të Kryetarëve të Grupseksioneve.
5. Forcimi i raporteve mes Degëve të Partisë dhe të zgjedhurve vendor (këshilltarëve bashkiak).
6. Njohja e një statusi të barabartë për të gjitha organizatat partnere të partisë, duke respektuar historinë e themelimit të PDSH.
7. Mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve të Partisë.
8. Saktësimi i rregullave të shkarkimit të kryetarëve të degëve, duke i dhënë më shumë garanci të qëndrimit në detyrë.
