Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij. Për këta të fundit, në vitin 2021, është caktuar dënimi me 55 vite burg. Ata akuzohen për gjobëvënie në kuadër të grupit kriminal.
Kujtojmë se Shullazi është dënuar me 14 vite burg, ndërsa katër anëtarët e tjerë me 41 vite heqje lirie në total.
Duhet theksuar se është pushuar çështja e njërit prej tyre, Gilmando Danit, pasi ai ka ndërruar jetë.
Dani, u ekzekutua më 11 nëntor 2025 në një atentat mafioz pranë aeroportit të Rinasit. Ai udhëtonte në një makinë si pasagjer, teksa të shtënat nuk kursyen as shoferin i cili vdiq disa ditë pas ngjarjes. Ai konsiderohej person i rrezikshëm për shkak të ekspozimit të tij të shpeshtë në episode të përbashkëta me Shullazin
Sipas prokurorisë, Shullazi dhe banda e tij kanë shantazhuar një biznesmen duke i marrë 550 mijë euro dhe 30% të ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Kanë kërcënuar edhe një biznesmen tjetër me marrjen e një parkimi. Këto vepra penale, sipas Gjykatës i kanë kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Gjykatës, asokohe, iu deshën 53 seanca gjyqësore dhe 18 muaj gjykim për të dhënë vendim për këtë çështje.
Shullazi vijon të mbahet në burg edhe për dy dosje të tjera të SPAK, të konsideruara ndër hetimet më të bujshme të viteve të fundit.
Njëra prej tyre është operacioni “Asgjë nuk harrohet”, që lidhet me ngjarje të rënda kriminale të vitit 2005, përfshirë vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame dhe Klodian Saliut. Dosja tjetër është “Revanshi”, një megaoperacion i SPAK i zhvilluar në maj 2024, ku u goditën disa grupe kriminale që vepronin në Tiranë, Durrës, Lezhë, Krujë, Vlorë dhe Burrel.
