Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha vlerësoi rolin e sindikatave në proceset e para të pluralizmit politik në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një nga ngjarjet më të rëndësishme të fillimit të viteve ’90.
I pranishëm në takimin e orgarnizuar në 35-vjetorin e grevës së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Berisha tha se “sindikatat u shndërruan në “mburojën më të fuqishme të pluralizmit politik shqiptar”.
Ai theksoi se greva e përgjithshme e BSPSH, e udhëhequr nga Gëzim Kalaja, përbënte një moment të rëndësishëm të rezistencës sindikaliste dhe qytetare.
Berisha vlerësoi pjesëmarrjen e gjerë të punonjësve në atë periudhë dhe rolin e sindikatave në zhvillimet politike të kohës, duke e cilësuar grevën si një “betejë historike” që ndikoi në konsolidimin e pluralizmit në vend.
“Dy vendime kanë qenë epike, them unë, të asaj kohe. Njëra ishte, më 18 dhjetor, themelimi i gazetës opozitare Rilindja Demokratike dhe themelimi i Sindikatave, të cilat u shndërruan në mburojë, me shpejtësi të rrufeshme, në mburojën më të fuqishme, më të pamposhtur të foshnjës që lindi më 11 dhjetor, pluralizmit politik shqiptar. Ishin sindikatat, të cilat u krijuan si një ortek dhe u kundërvunë me forcë e vendosmëri skenarit të Ramiz Alisë, i cili kishte përcaktuar zgjedhjet tre muaj më parë se të pranonte pluralizmin.
Kishte përcaktuar shkurtin si muajin e zgjedhjeve, në një kohë kur PD që do merrte pjesë, nuk ishte krijuar akoma përtej Tiranës dhe pak qyteteve. Por sindikatat nuk e pranuan këtë skenar të Ramiz Alisë”, tha Berisha.
“Miq, unë e kam takuar me qindra e qindra herë Gëzim Kalanë, por unë edhe tani që e kam këtu përpara, dhe sa herë e takoj dhe sa herë më kujtohet, kam para syve të mi në memorien të pashlyer përjetë Gëzim Kalanë e galerisë qindra e qindra metër thellë në grevë urie me ballë të lidhur, tek luftonte si luan, si hero i vërtetë me 17 bashkëpunëtorë, 17 heronj, për të gjunjëzuar. Ishte një betejë e papërsëritshme”, deklaroi Berisha në fjalën e tij.
