Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se protesta e opozitës do të vijojë pa ndërprerje deri në rrëzimin e qeverisë dhe ndryshimin e regjimit.
Në një bashkëbisedim me qytetarët, Berisha u shpreh se forma e protestës së opozitës është një kryengritje paqësore, e cila sipas tij përfaqëson zgjedhjen politike të Partisë Demokratike.
“Nuk na dikton njeri taktikën tonë. Kryengritja paqësore është zgjedhja jonë. Vija e kuqe është protesta deri në rrëzimin e Edi Ramës”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se protestat, pavarësisht vështirësive, janë të domosdoshme për të mbajtur gjallë opozitarizmin në vend.
“Protesta e Partisë Demokratike është zëri i qytetarëve që guxojnë të dalin në rrugë për çështje që prekin çdo qytetar të ndershëm”, u shpreh ai.
Berisha akuzoi qeverinë se, sipas tij, ka krijuar një sistem ku opozita përballet me presion institucional dhe politik, duke përmendur edhe arrestime të figurave opozitare në periudha zgjedhore.
“Në asnjë vend normal nuk arrestohen liderë të opozitës në vit elektoral si persona nën hetim. Qëllimi është i qartë: manipulimi i zgjedhjeve”, deklaroi ai.
Duke folur për Partinë Demokratike, Berisha tha se ajo ndodhet në një proces riorganizimi dhe hapjeje ndaj të rinjve, duke theksuar se drejtimi i saj do të vendoset vetëm përmes votës së anëtarëve.
“PD është në një proces ripërtëritjeje. Kryetarin e kësaj partie do ta caktojnë vetëm demokratët me votën e tyre dhe askush tjetër”, u shpregh ai.
Berisha theksoi se opozita do të vijojë aksionin e saj politik deri në realizimin e objektivave të deklaruara.
