Asllan 1024x524

Pas vendimit të gjykatës së Apelit në Tiranë për zbutjen e dënimit për autorin e vrasjes së policit në Fier, Novruz Cenalia, ka reaguar babai i viktimës.

Në një intervistë për Klan News, Asllan Cenalia thotë se vendimi ishte “vrasje për herë të dytë”, ndërsa thotë se vendimin e para dy ditëve, do e bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë.

“Gati vrasje e dytë për ne si familjarë. Jo vetëm për ne por edhe për organizatën e policisë. Vetëm reagimet e kolegëve sot, ishin reagime shumë dëshpëruese ndaj këtij vendimi. Por është një vendim drejtësie, e ka dhënë një gjykatë.”, tha Asllan Cenalia.

Ai ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit kur është dhënë vendimi dhe është tronditur nga gjykimi. Sipas tij, drejtësia nuk është bërë.

“S’kishte asnjë rrethanë lehtësuese. Edhe argumentet nuk i mora vesh. Shpresova që vendimi do lihej në fuqi.”, vazhdon ai.

Cenalia ka shtuar se ky vendim ishte “dëshpërues”. “Më ka rënë si bombë me thënë të drejtën, se nuk e prisja”, shton më tej.

Pas vrasjes se të birit, familja Cenalia ka ikur nga Fieri dhe është shpërngulur në Divjakë për të qëndruar larg familjes së autorit të vrasjes. Nga ana tjetër pas ngjarjes, ai thotë se askush nuk i ka kërkuar falje nga familja Mërnica.

Cenalia punon në policinë e zonës dhe thotë se për të zbatimi i ligjit është përparësi, që sipas tij për djalin nuk i është dhënë, duke paralajmëruar se do e ndjekë çështjen edhe në gjykata të tjera.

Novruz Cenalia u vra nga Azgan Mërnica në 13 maj të vitit 2024, në fshatin Baltëz të Fierit, pas një sherri për motive të dobëta.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights