Kryeministri Edi Rama po zhvillon këtë të shtunë, më 11 prill, një bashkëbisedim me fermerët në Krutje të Lushnjës, ku po diskutohet mbi rritjen e investimeve në bujqësi, lehtësitë e reja fiskale dhe risitë e skemës së re kombëtare për mbështetjen e këtij sektori, ku duhet të arrijmë një standard të përgjithshëm prodhimi për tregun e madh të BE-së.
Ai shoqërohet nga ministri i Bujqësisë dhe i Zhvillimit Rural Andis Salla, ai i Financave Petrit Malaj si dhe deputetja Belinda Balluku.
Ministri Salla: Bashkë fitojmë 25% më shumë!
“E kemi marrë këtë turin e takimeve dhe bujqësia zë një nga rolet që ne këtu nga zemra e bujqësisë në Lushnje e kemi shumë të rëndësishme.”, tha Salla në nisje të fjalës së tij. “Sot ne prodhojmë shumë dhe ne duhet të formalizohemi”, tha Salla, duke shtuar se kjo krijon një zinxhir ekonomik.
Ai shpjegoi se së shpejti “do të kemi këtu një laborator për të patur një zinxhir sa më të sigurt të sigurisë ushqimore”.
Salla tha se ekspertët e ministrisë së Bujqësisë “jemi në terren për të verifikuar të ndërtojmë urën e komunikimit midis atyre detyrave të lëna nga BE-ja, që e kemi zgjidhur me fermerët, kur biznesi i madh, pikat e grumbullit të ndërtojnë një zinxhir më të mirë”.
Ai shtoi: “Të ndarë kemi 35 % humbje, nëse jemi bashkë fitojmë 35% më shumë”.
Ndërsa ministri i Financave Petrit Malaj tha “Dëgjojmë rëndom nëpër banaqe që nuk bëhet mjaftueshëm për bujqësinë ose nuk është bërë asgjë për bujqësinë. Po si mund të themi që nuk është bërë asgjë për bujqësinë kur vetëm buxheti i bujqësisë është pesëfishuar që nga momenti që ne kemi marrë detyrat?! E gjetëm me 34 milionë euro buxhetin e bujqësisë dhe sot që flasim e kemi 160 milionë euro.
Po si mund të thuash që nuk është bërë mjaftueshëm për bujqësinë kur kemi pesëfishuar eksportet nga momenti që ne morëm detyrën?!”
Ai u shprej se për vitin 2026, modeli që qeveria po tenton të ndërtojë është një model i cili do të mbështesë drejtpërdrejt fermerët.
“Vetëm këtë vit ne kemi parashikuar rreth 31milionë euro subvencione. Kemi parashikuar 20 milionë euro grante. Kemi vënë në dispozicion garancinë sovrane 30 milionë euro, garanci e cila mund të përdoret nga të gjithë ju fermerët, mund të përdoret për kredi të buta, kredi të cilat mund të merren me 2 %, ku shteti garanton 70 % të vlerës së kredisë.
Për herë të parë po prezantojmë një skemë të TVSH-së që ndihmon drejtpërdrejt fermerët. E tha kolegu im Andisi, për herë të parë 10 % e vlerës së faturës do të shkojë drejtpërdrejt në llogaritë tuaja.”, shpjegoi Malaj.
Malaj sqaroi se nga 1 janari fermerët duhet të pajisen me faturë për çdo produkt të dorëzuar, në mënyrë që nga 30 qershori të mund të përfitojnë kthimin e 10% të vlerës së saj.
Ai shtoi se pritet gjithashtu hapja e programit IPARD gjatë këtij viti, i cili parashikon mbi 100 milionë euro investime në bujqësi.
Ministri nënvizoi se bujqësia mbetet një sektor kyç për ekonominë shqiptare, duke punësuar mbi 40% të forcës së punës dhe duke kontribuar me mbi 15% në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Ai pranoi se nevojitet më shumë mbështetje, por theksoi angazhimin e qeverisë për ndërtimin e një sektori konkurrues, me synimin që deri në vitin 2030 eksportet bujqësore të arrijnë të paktën në 1 miliard euro dhe të jenë konkurruese në tregjet e Bashkimit Europian.
