Dy turistë nga Belgjika të cilët mbetën të bllokuar në një zonë të thepisur dhe me dëborë në vendin e quajtur “Qafa e Valbonës” teksa po eksploronin Alpet, janë shpëtuar nga policia.
Policia e Tropojës bëri të ditur se u njoftuan rreth orës 14:00 të një dite me parë për situatën e turistëve, të cilët nuk mund të vazhdonin lëvizjen për shkak të kushteve të vështira të terrenit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim me ekipin e kërkim-shpëtimit Valbonë, organizuan punën dhe nisën kërkimet për lokalizimin e turistëve.
Sipas policisë, pas disa orësh kërkime në këmbë, nga shërbimet e Policisë dhe ekipi i kërkim-shpëtimit Valbonë, në vendin e quajtur “Qafa e Valbonës”, u lokalizuan dy turistët që kishin mbetur të bllokuar.
Policia bëri të ditur se turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë akomoduar në një bujtinë në Valbonë.
