Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka zhvilluar një takim zyrtar me homologen e tij nga Republika e Kolumbisë, Paula Andrea Ceron Arboleda, gjatë të cilit është riafirmuar angazhimi për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy shteteve.
Sipas një njoftimit të ministrisë, gjatë takimit, palët kanë nënshkruar tri marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi, përfshirë marrëveshjen për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare, marrëveshjen për konsultime politike ndërmjet dy ministrive të jashtme, si dhe memorandum bashkëpunimi ndërmjet akademive diplomatike të dy vendeve.
MPJD thekson se këto marrëveshje konsiderohen një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional dhe thellimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Kolumbisë.
Gjatë diskutimeve është trajtuar edhe mundësia e heqjes së vizave për mbajtësit e pasaportave të rregullta, ku pala kosovare ka dorëzuar draftin fillestar për shqyrtim, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe afrimin e mëtejshëm ndërmjet dy vendeve.
Gjatë vizitës në Kolumbi, zëvendësministri Ahmeti është takuar edhe me zëvendësministrin e Mbrojtjes Kombëtare, Javier Baquero, me të cilin ka diskutuar mundësitë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Po ashtu, në kuadër të takimeve të tjera, janë zhvilluar diskutime me përfaqësues të institucioneve të kulturës, arsimit, sportit dhe bujqësisë në Kolumbi, ku janë identifikuar mundësi konkrete për bashkëpunim të mëtejshëm.
Vizita e zëvendësministrit Ahmeti në Amerikën Latine është përmbyllur me nënshkrimin e gjithsej gjashtë marrëveshjeve të ndryshme, të cilat sipas palës kosovare pritet të kontribuojnë në forcimin e pranisë ndërkombëtare dhe partneriteteve të Republikës së Kosovës.
