Programi i vizës amerikane do të rifillojë pranimin e aplikimeve pas një pezullimi, që nisi në muajin janar.
Sipas pritshmërive zyrtare, pritet që rreth 10 milionë persona të aplikojnë këtë vit për mundësinë e të jetuarit dhe punuarit në Shtetet e Bashkuara. Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar një sërë ndryshimesh të rëndësishme në program, të cilat hyjnë në fuqi më datë 10 prill dhe do të zbatohen fillimisht për programin e vitit 2027. Për këtë qëllim, po finalizohet përditësimi i formularit elektronik të aplikimit (DS-5501), që do të jetë i gatshëm në momentin që ndryshimet hyjnë në fuqi.
Një nga ndryshimet kryesore është kërkesa që aplikantët të ngarkojnë një pasaportë të vlefshme dhe një skanim të faqes, ku shfaqen të dhënat personale dhe nënshkrimi. Kjo masë ka për qëllim të minimizojë përdorimin e pasaportave të falsifikuaradhe të lehtësojë verifikimin e identitetit dhe të sigurisë së aplikantit. Zyrtarët e Departamentit të Shtetit tani do të mund të vlerësojnë pranueshmërinë e aplikantëve sipas vendit të lindjes dhe mundësisë që një person të lidhet me një shtet që konsiderohet me “pranueshmëri të ulët.”
Të gjithë aplikantët e lotarisë duhet të paguajnë një tarifë simbolike prej 1 dollar në momentin e dorëzimit të formularit, pa përjashtime. Përveç kësaj, aplikimet duhet të tregojnë arsimimin e aplikantit, duke përfshirë diplomën e shkollës së mesme ose një ekuivalent të saj.
Për individët e martuar, aplikimi duhet të jepen të dhënat e bashkëshortit/es, duke përfshirë emrin, foton, datën dhe vendin e lindjes, si dhe të dhënat e të gjithë fëmijëve biologjikë, të adoptuar ligjërisht ose të marra nga bashkëshorti/tja, që janë nën moshën 21 vjeç në momentin e dorëzimit të aplikimit fillestar. Përfshirja e bashkëshortëve është e detyrueshme, edhe nëse ata nuk jetojnë aktualisht me aplikantin ose nuk planifikojnë të emigrojnë së bashku, përveçse në rastin e ndarjes ligjore.
Programi gjithashtu përforcon mekanizmat për të identifikuar martesat e rreme gjatë procesit të aplikimit. Aplikantët që përzgjidhen duhet të paraqesin prova të marrëdhënies, përfshirë certifikatën e martesës dhe dokumente të tjera përkatëse, dhe mund të kërkohen hetime ose dokumente shtesë për verifikim.
Kujtojmë se pezullimi i programit ndikoi në përpunimin e aplikimeve nga 75 vende të botës, duke përfshirë kategori të ndryshme vizash si bashkimi familjar, vizat e punësimit, birësimi, vizat speciale dhe vizat për diversitet. Ky vendim nuk ndaloi lëshimin e vizave studentore, turistike, apo për biznes, përfshirë edhe vizat për tifozët e futbollit që dëshirojnë të ndjekin nga afër Kupën e Botës, megjithëse administrata Trump ka deklaruar se do të verifikojë të gjithë aplikuesit.
Qeveria amerikane ka theksuar se rifillimi i programit dhe ndryshimet e reja kanë për qëllim të rrisin sigurinë, të parandalojnë mashtrimet dhe të sigurojnë që procesi i aplikimit të jetë më i qartë, i drejtë dhe i verifikueshëm për të gjithë kandidatët që kërkojnë mundësinë e të jetuarit në Shtetet e Bashkuara.
