2peleshi 696x498

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në kuadër të diplomacisë parlamentare po zhvillon një vizitë zyrtare në Gjermani, ku u prit sot nga Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner.

Vizita u përqendrua në thellimin e bashkëpunimit parlamentar dhe forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe mbështetjen e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, të cilat karakterizohen nga një dialog i intensifikuar politik dhe mbështetje e vazhdueshme e Gjermanisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Kryetari Peleshi shprehu mirënjohjen për rolin kyç të Gjermanisë në mbështetjen e reformave, veçanërisht në fushat e drejtësisë, demokracisë dhe legjislacionit zgjedhor.

Gjatë takimit u nënvizua mbështetja e Gjermanisë si një faktor vendimtar për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. U theksua nevoja për një proces zgjerimi të bazuar në merita dhe për vazhdimin e reformave të thella në vend.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe bashkëpunimi ndërparlamentar, i cili është shumë aktiv, me shkëmbime të rregullta vizitash dhe intensifikim të kontakteve mes grupeve të miqësisë dhe komisioneve parlamentare. U theksua rëndësia e vijimit të këtyre shkëmbimeve për avancimin e agjendës europiane të Shqipërisë dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të Kuvendit.

Gjermania u vlerësua si një nga partnerët kryesorë ekonomikë të Shqipërisë, me rritje të ndjeshme të investimeve e shkëmbimeve tregtare gjatë viteve të fundit.

Kryetari Peleshi shprehu gatishmërinë për të përmirësuar më tej klimën e biznesit dhe për të tërhequr më shumë investime gjermane në sektorë kyç si energjia, industria, teknologjia dhe turizmi.

Gjithashtu, palët diskutuan zhvillimet në rajon dhe sfidat e sigurisë e të paqes, duke theksuar rolin e rëndësishëm të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. U riafirmua angazhimi i të dy vendeve në mbështetje të Ukrainës dhe në përputhje me politikat e përbashkëta të NATO-s dhe BE-së.

Vizita e Kryetarit të Kuvendit në Berlin konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e partneritetit Shqipëri-Gjermani, mbështetjen e anëtarësimit në BE dhe avancimin e bashkëpunimit parlamentar, politik dhe ekonomik mes dy vendeve.

Kryetari i Kuvendit shoqërohet në këtë vizitë zyrtare në Gjermani nga delegacioni i Kuvendit, i përbërë nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PS dhe Kryetar i Grupit të Miqësisë Taulant Balla, deputetët Iris Luarasi, Erion Malaj, Edmond Haxhinasto, Redi Muçi dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, Adia Sakiqi.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights