Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, së bashku me deputeten Jorida Tabaku, gjatë vizitës së tyre në Berlin, Gjermani, u takuan me deputetin Peter Beyer, drejtues i grupit të Ballkanit Perëndimor në Bundestag dhe reporteri për Shqipërinë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bardhi nënvizoi se “Peter Beyer është një mik i çmuar i Shqipërisë dhe shqiptarëve, dhe një nga zërat më mbështetës të integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
“Gjermania mbështet integrimin e Shqipërisë në BE bazuar në meritë dhe në përmbushjen e standardeve, sepse kjo ndihmon qytetarët shqiptarë”, theksoi Bardhi.
Sipas tij, Shqipëria e ka jetike të bëjë përparim të matshëm në shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Për këtë është e nevojshme një qeverisje e përgjegjshme që integrimin e ka projekt kombëtar, dhe jo retorike për propagandën e ditës”, nënvizoi Bardhi.
Bardhi shtoi se Shqipëria ka potencialin të jetë aset për Evropën dhe Partia Demokratike është gati të udhëheqë procesin që e kthen këtë potencial në realitet.
